Thirrur për Vuajtje dhe Ngazëllim: Shenjtëria dhe Shpresa

Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë. Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë. Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët. Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë. Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.

Shpresoj që katër javët në vazhdim t'ju ndihmoj të përgatiteni për të vuajtur për Krishtin. Një prej arsyeve pse besoj se duhet t'ju përgatis për të vuajtur për Krishtin është për shkak se Bibla thotë se duhet të jemi gati, dhe tjetra është për shkak se këtë gjë na e thotë edhe koha moderne në të cilën jetojmë.

Përgatitja për të vuajtur

David Baret, studiuesi misionar që redaktoi Enciklopedinë Botërore të Krishterë të Oksfordit, çdo vit boton një raport rreth gëndjes së lëvizjes së Krishterë përreth botës duke hamendësuar sesi mund të jenë gjërat në vitin 2000. Në raportin e këtij viti ai tregoi se në vitin 1980 kishte rreth 270,000 martirë të krishterë. Këtë vit do të ketë 308,000 dhe në vitin 2000 ai parashikon 500,000.1 1 Këta janë njerëz që vdesin pak a shumë për shkak të faktit që janë të krishterë.

Sot në Somali dhjetë mijë të krishterë izolohen qëllimisht prej grupeve rivale dhe kështu vdesin urie. Tensioni mes popullsisë Muslimane dhe asaj të Krishterë në Nigeri është jashtëzakonisht kritik. Miliona të krishterë në Kinë dhe në shumë vende të tjera jetojnë në rrezik të vazhdueshëm ndaj keqtrajtimit dhe burgimit.

Në vendin tonë pjesa më e madhe e shoqërisë laike, në mënyrë të veçantë elita intilektuale dhe udhëheqësit e medias, janë gjithë e më armiqësore ndaj kishës ungjillore dhe vizionit biblik për drejtësinë dhe mirësinë për të cilat ne e ngremë zërin. Amendamenti i parë është shtrembëruar në atë mënyrë për t'i shërbyer antagonistëve laikë saqë nuk është më e paimagjinueshme që një gjykatës të argumentojë që sigurimi publik i ujit, elektricitetit dhe kanalizimeve të ujërave të zeza për kishat e krishtera përbën një mbështetje të pabazuar në kushtetutë të fesë sipas burimeve dhe rregullave të qeverisë.

Protestues paqësorë pro-jetës që thjesht luten në vende publike mund të sulmohen dhunshëm prej mbrojtësve të abortit, si në Bufalo apo Nju Jork dhe të mos kenë fare mbrojtje prej policisë, përkundrazi të akuzohen për krim.

Emri i Jezusit përbuzet dhe blasfemohet hapur prej personazheve të famshmë në atë mënyrë që në dekadat e shkuara do t'i kishte bërë përgjegjës në sytë e publikut, por sot kjo gjë aprovohet dhe nuk i jepet rëndësi.

Kostoja e Porosisë së Madhe

Gjasat e gjithë kësaj janë që të jesh i Krishterë do të kostojë edhe më tepër gjatë viteve të ardhëshme. Kostoja e plotësimit të Porosisë së Madhe do përfshijë edhe jetën e disa prej nesh – ashtu si ka ndodhur tashmë, dhe si ka ndodhur gjithmonë. Para 1800 vjetësh Tertuliani tha, “Ne (të Krishterët) shumëfishohemi sa herë që kositemi prej jush; gjaku i të Krishterëve është fara” (Apologjetika, 50). Dhe 200 vjet pas tij Shën Jeromi tha, “Kisha e Krishtit është themeluar duke derdhur gjakun e vet, jo atë të të tjerëve; duke duruar tërbimin dhe jo duke e shkaktuar atë. Persekutimi e ka bërë të rritet; martirët e kanë kurorëzuar” (Letra 82).

Ne flasim kaq shumë për vendet e mbyllura saqë pothuaj e kemi humbur perspektivën e Perëndisë për misionin – sikur ai ta kishte patur ndonjëherë në mendje të ishte e lehtë. Nuk ka vende të mbyllura për ata që pranojnë se persekutimi, burgimi dhe vdekja janë rezultate të pritshme për përhapjen e ungjillit. Jezusi e tha shkoqur që këto do ishin rezultatet e pritshme. “Atëherë do t'ju dorëzojnë në mundime dhe do t'ju vrasin; dhe të gjithë kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim.” (Mateu 24:9). “Nëse më kanë përndjekur mua, do t'ju përndjekin edhe ju.” (Gjoni 15:20)

Gjersa të kemi ripërtërirë perspektivën e Perëndisë rreth vuajtjes dhe përhapjes së ungjillit nuk kemi për t'u ngazëlluar në triumfin e hirit që ai ka planifikuar.

Bindja në mision dhe në drejtësi shoqërore ka qenë gjithmonë e kushtueshme dhe kështu do jetë gjithmonë. Në fshatin e Miangos në Nigeri ka një shtëpi mikpritjeje SIM dhe një kishë e vogël e quajtur Kisha Kirk. Pas kishës gjendet një varezë e vogël me 56 varre. Tridhjetë e tre prej tyre mbajnë trupat e fëmijëve të misionarëve. Gurët lexojnë: “Ethil Arnold: 1 Shtator 1928 – 2 Shtator 1928.” “Barbara Suanson: 1946-1952.” “Eilin Luiza Uitmojër: 6 Maj 1952 – 2 Shtator 1955.” Kjo ishte kostoja për ta çuar ungjillin në Nigeri për shumë familje këto vitet e fundit. Çarls Uajt tregon historinë e tij kur vizitoi këtë varrezë të vogël dhe e mbylli me një fjali jashtëzakonisht të fuqishme. Ai tha, “E vetmja mënyrë sesi mund ta kuptojmë varezën në Miango është të kujtojmë që Perëndia gjithashtu e varosi Birin e vet në fushën e misionit.” 2 2

Kur e ringjalli prej së vdekurish e thirri kishën ta ndiqte atë në të njëjtën fushë të rrezikshme të quajtur “e gjithë bota”. Por a jemi ne të gatshëm ta ndjekim?

Çfarë bëni ju me vargun 2 Timoteu 3:12?

Para dy vjetësh në Ermelo të Hollandës, Vëlla Andrea tregoi historinë kur ishte ulur në Budabest të Hungarisë, me nja dymbëdhjetë pastorë të qytetit dhe po ju mësonte nga Bibla. Aty hyri një mik i vjetër, një pastor nga Rumania i cili kohët e fundit ishte liruar prej burgut. Vëlla Andrea tha që e ndaloi mësimin dhe e dinte që ky ishte momenti të dëgjonte.

Pas një ndalese të gjatë pastori Rumun tha, “Andrea, a ka pastorë në burg në Hollandë?” “Jo,” ju përgjigj ai. “Pse jo?” e pyeti pastori. Vëlla Andrea mendoi për një moment dhe tha, “Mendoj se duhet të jetë për shkak që nuk i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që Perëndia na jep.”

Pastaj erdhi pyetja më e vështirë. “Andrea, çfarë bën ti me vargun 2 Timoteu 3:12?” Vëlla Andrea hapi Biblën, e gjeti vargun dhe e lexoi me zë të lartë, “Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen.” E mbylli Biblën me ndadalë dhe tha, “Vëlla, të lutem më fal. Me atë varg nuk bëjmë asgjë.” 3 3

Kam frikë se ne e kemi zbutur konceptin e perëndishmërisë në një moral kaq joofendues dhe zbatim të ligjit të shtresës së mesme saqë 2 Timoteu 3:12 për ne është bërë i pakuptueshëm. Mendoj që shumë prej nesh nuk janë të përgatitur të vuajnë për ungjillin. Prandaj ndihem i thirrur të kalojmë katër javë për të trajtuar atë që Bibla thotë rreth kësaj gjëje dhe për çfarë po na thërret Perëndia sot.

Katër qëllime Biblike për vuajtjen

Çdo mesazh korespondon me një prej katër qëllimeve të vuajtjes. Mund të flasim për qëllimet e vuajtjes për shkak se është e qartë që është qëllimi i Perëndisë që në disa raste të vuajmë për hir të drejtësisë dhe për hir të ungjillit. Për shembull, “Prandaj edhe ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t'i besojnë shpirtrat e vet atij, si te Krijuesi besnik, duke bërë të mirën.” (1 Pjetri 4:19, krahaso me 3:17; Hebrenjve 12:4-11).

Katër qëllimet e vuajtjes që kam në mendje janë:

  1. Qëllimi moral, për shkak se vuajtja përsos shenjtërinë dhe shpresën tonë (Romakëve 5:1-8)
  2. Qëllimi i intimitetit, për shkak se në vuajtje marrëdhënia jonë me Krishtin bëhet më e thellë dhe më e ëmbël (Filipianëve 3:7-14)
  3. Qëllimi misionar, për shkak se Perëndia na thërret të plotësojmë mundimet e Krishtit ndërsa çojmë përpara vlerën e vuajtjeve të tij përmes realitetit të vuajtjeve tona (Kolosianëve 1:24)
  4. Qëllimi i lavdisë, për shkak se ky mundim i lehtë dhe i përkoshëm po përgatit për ne një peshë të përjetshme lavdie (2 Korintasve 4:16-18).

Qëllimi Moral (Frymëror) i Vuajtjes

Sot do fokusohemi në qëllimin moral (frymëror) të vuajtjes. Perëndia ka caktuar që ne të vuajmë për ungjillin dhe për çështjen e drejtësisë për shkak të efekteve morale dhe frymërore që kjo gjë ka në ne.

Mburrje në shpresën e lavdisë së Perëndisë

Le të lexojmë një prej teksteve më madhështore rreth kësaj pike: Romakëve 5:3-4. Pasi ka treguar që jemi shfajësuar me anë të besimit dhe që kemi hyrje në hir përmes Jezusit, që në këtë hir qëndrojmë, Pali thotë në vargun 2 që ne të Krishterët “mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.” Shkaku kryesor i gëzimit në jetën e Krishterë është pritja e zellshme që do të shohim lavdinë e Perëndisë dhe do marrim pjesë në të. Shpresa për lavdinë e Perëndisë është zemra e ngazëllimit tonë.

Tani, nëse kjo është e vërtetë, atëherë Pali është përsosmërisht konsistent kur vazhdon dhe thotë në vargjet 3 dhe 4 që ne gjithashtu do ngazëllohemi në këto gjëra që e bëjnë shpresën tonë të shtohet. Kjo është llogjika këtu: nisim me shpresën e lavdisë së Perëndisë në fund të vargut 2, dhe pastaj e mbyllim me shpresë në fund të vargut 4. Ideja është kjo: nëse ngazëllohemi në shpresë do të ngazëllohemi në atë çfarë na sjell shpresë.

Çfarë sjell shpresë

Prandaj vargjet 3 dhe 4 përshkruajnë çfarë është kjo gjë. “Dhe jo vetëm kaq [jo vetëm që mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë] , por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën [një ndjesi që je i aprovuar] dhe përvoja [prodhon] shpresën.”

Arsyeja pse mburremi në shtrëngime nuk është për shkak se na pëlqen dhimbja, mjerimi, parehatia apo telashet (ne nuk jemi mazokistë), por për shkak se shtrëngimet prodhojnë atë që na pëlqen, domethënë, një ndjesi gjithnjë edhe më të fortë për shpresën, gjë e cila vjen përmes përjetimit të këmbënguljes me durim dhe ndjesisë që kemi dalë të aprovuar.

Perëndia ka një qëllim në vuajtjet e popullit të tij

Prandaj mësimi kryesor është që Perëndia ka një qëllim në vuajtjet e popullit të tij. Dhe ky qëllim shpesh është i ndryshëm nga synimi i shërbesës në të cilin janë duke punuar. Synimi i shërbesës mund të jetë të ungjillizoni beqarët në Qytetet Binjake, apo profesionistët në zonat urbane, apo muslimanët Turq. Por qëllimi i Perëndisë mund të jetë të prodhojë shpresë tek shërbëtorët dhe misionarët duke i futur në burg. Perëndia gjithmonë bën më tepër sa kaq (ashtu si do ta shohim javët në vazhdim), por kjo do mjaftonte.

Me fjalë të tjera Perëndia mund të mos ketë fare atë përqasje rreth prodhimtarisë dhe efikasitetit të shërbesës që kemi ne. Herë pas here Pali duhej të përballej me punën e çuditshme të Perëndisë në burgimet e tij, në rrahjet, mbytjet e anijeve dhe planet e prishura. Si mund të ishte Perëndia kaq i paaftë sa të lejonte që misioni i tij të bllokohej në këtë mënyrë herë pas here? Përgjigja e këtij teksti (jo e vetmja) do të ishte: Perëndia është i përkushtuar ndaj shtimit të shpresës dhe shenjtërisë të popullit të tij në procesin e arritjes së të humburve. Vetëm Perëndia e di si t'i ekuilibrojë ato dy gjëra dhe të bëjë të ndodhin në mënyrën më të mirë.

Efektet e mundimeve

Tani le të shohim efektet e mundimeve në mënyrë më të detajuar. Në vargjet 3 dhe 4 përmenden katër efekte specifike.

1. Këmbëngulja

Së pari, shtrëngimet prodhojnë këmbënguljen, apo durimin. Pali nuk do të thotë që kjo është e vërtetë universale. Për shumë pesona, shtrëngimet prodhojnë urrejtje, hidhërim, zemërrim, mëri dhe ankesa. Por ky nuk është efekti i vazhdueshëm i atyre që kanë Frymën e Krishtit. Për ta efekti është durim, për shkak se fruti i Frymës është durimi.

Ideja këtu është që derisa vështirësitë vijnë në jetën tonë, në mënyrë të veçantë ato vështirësi për hir të Krishtit dhe drejtësisë së tij, nuk e përjetojmë gjerësinë dhe thellësinë e përkushtimit tonë ndaj Krishtit. Derisa kohët të vështirësohen, nuk e provojmë dhe nuk e dimë në të vërtetë nëse jemi të krishterë vetëm në ditë me diell – ai lloj të cilin Jezusi e përshkroi tek shembëlltyra e tokave tek Marku 4:16-17.

Këta janë ata që u mbollën në gurishte, të cilët, kur e dëgjojnë fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim; por nuk kanë rrënjë në vete, qëndrojnë vetëm për pak; por kur vijnë mundimet dhe përndjekja për hir të fjalës, ata largohen menjëherë.

Prandaj Pali po thotë që një efekt i madh i shtrëngimeve është që këto sjellin durimin dhe këmbënguljen tek populli i Perëndisë, që të mund të shohin besnikërinë e Perëndisë në jetët e tyre dhe të dinë që me të vërtetë i takojnë atij.

2. Përvoja

Kjo është ideja e efektit të dytë që përmendet (v.4). “Duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën [një ndjesi që je i aprovuar].” Kuptimi i drejtpërdrejtë i fjalës dokimen është “përjetimi i provës dhe aprovimi”. Prandaj mund të themi “aprovim” apo “përvojë”.

Kjo nuk është e vështirë të kuptohet. Nëse atëherë kur vijnë mundimet këmbëngulni në përkushtim ndaj Krishtit dhe nuk ktheheni kundër tij, atëherë nga ai përjetim dilni me një ndjesi më të fortë që jeni realë, jeni provuar, nuk jeni hipokrit. Besimi i vërtetë u përkul dhe nuk u thye. Besnikëria juaj u sprovua dhe e kaloi provën. Tani ata kanë një “karakter të sprovuar”. Ari i besimit tuaj u fut në zjarr dhe doli i rafinuar, nuk u konsumua.

Kur shtegu yt do kalojë përmes sprovave të zjarrit,
Hiri im i gjithmjaftueshëm do të mbështesë,
Kam caktuar që flaka të mos të lëndojë,
por zgjyrën ta djegë dhe arin ta rafinojë.

Ky është efekti i dytë i mundimeve: sprovimi dhe rafinimi i arit të besnikërisë tonë ndaj Jezusit. Këmbëngulja sjell sigurinë e përvojës.

3. Shpresa

Efekti i tretë vjen prej ndjesisë së sprovimit, aprovimit dhe rafinimit. Vargu 4b: “dhe përvoja [prodhon] shpresën.” Kjo na çon sërish tek vargu 2: “Mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.” Jeta e krishterë nis me shpresë në premtimet e Perëndisë në ungjill, dhe përmes mundimeve kalon në një spirale lart drejt akoma dhe më shumë shprese.

Përvoja sjell më tepër shpresë për shkak se shpresa jonë rritet kur përjetojmë realitetin e vërtetësisë tonë përmes sprovës. Njerëzit që e njohin më mirë Perëndinë janë njerëzit që vuajnë me Krishtin. Njerëzit që janë më të palëkundshëm në shpresën e tyre janë ata që janë sprovuar më thellë. Njerëzit që shohim me më tepër zell dhe këmbëngulje drejt shpresës së lavdisë janë ata të cilëve u janë hequr rehatitë e kësaj jete përmes mundimeve.

Mburrje në shpresën e Perëndisë në shtrëngime

Prandaj gjëja e parë që themi për vuajtuen dhe mundimin në këtë seri është që Perëndia ka një qëllim në të. Ky qëllim është të vërë në dukje këmbënguljen me durim të popullit të tij për hir të emrit të tij; dhe përmes kësaj të sprovojë dhe pastrojë realitetin e besimit dhe besnikërisë ndaj Krishtit; dhe përmes kësaj ndjesie aprovimi të forcojë, thellojë dhe intensifikojë shpresën tonë.

Si kishë kemi synime shërbese (dishepullizim urban, përkujdesje në grupe të vegjël, rrjete ungjillizimi, mbrojtja e atyre që nuk kanë lindur ende; mobilizimi i rinisë dhe fëmijëve); kemi një vizion të madh misionar për të dërguar 2000 misionarë deri në vitin 2000; kemi një ndërtesë për të paguar dhe një buxhet për ta financuar dhe të gjitha këto për hir të Krishtit dhe mbretërisë së tij. Sa prej këtyre do të sjellë në realitet Perëndia me sovranitetin e tij nuk e di. Por këtë e di, në ndjekjen tonë me bindje të këtyre synimeve Perëndia ka një qëllim për çdo pengesë dhe vështirësi, për çdo dhimbje dhe mundim, dhe ky qëllim është po aq i rëndësishëm sa dhe vetë synimet – këmbëngulja juaj, përvoja juaj dhe shpresa juaj në lavdinë e Perëndisë.

Çfarëdo tjetër që mund të jetë duke bërë Perëndia në nivelin e planifikimit të jetës tuaj, këtë ai e bën gjithmonë në nivelin e zemrës tuaj. Prandaj le të mburremi bashkë me Palin në shpresën e lavdisë dhe gjithashtu në shtrëngimet që po vijnë.


International Bulletin of Missionary Research, vol. 16, no. 1, January, 1992, p. 27.

2 Charles White, "Small Sacrifices," Christianity Today, vol. 36, no. 7, June 22, 1992, p. 33.

3 Taken from the foreword to Herbert Schlossberg, Called to Suffer, Called to Triumph, (Portland: Multnomah Press, 1990), pp. 9–10.

©2014 Desiring God Foundation. Used by Permission.

Permissions: You are permitted and encouraged to reproduce and distribute this material in its entirety or in unaltered excerpts, as long as you do not charge a fee. For Internet posting, please use only unaltered excerpts (not the content in its entirety) and provide a hyperlink to this page. Any exceptions to the above must be approved by Desiring God.

Please include the following statement on any distributed copy: By John Piper. ©2014 Desiring God Foundation. Website: desiringGod.org