Lajmi i Mirë i Perëndisë lidhur me Birin e tij

Pali, shërbëtor i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, i veçuar për ungjillin e Perëndisë, siç i kishte premtuar ai me anë të profetëve të tij në Shkrimet e shenjta, lidhur me Birin e tij, të lindur nga fara e Davidit sipas mishit, i deklaruar Biri i Perëndisë në fuqi, sipas Frymës së shenjtërisë nëpërmjet ringjalljes prej së vdekurit: Jezu Krishti Zoti ynë.

Ashtu si pamë nga vargu 1 javën e kaluar Pali është një shërbëtor i Krishtit Jezus, që do të thotë, ai u ble, zotërohet dhe sundohet prej Krishtit. Ai jeton për t'i pëlqyer Krishtit. Në mënyrë që të mos kapim idenë e gabuar rreth Krishtit sikur të ishte disi e varur prej iniciativës së Palit dhe punës së tij si skllav, duhet të vëmë re tek Romakëve 15:18 që Pali varet tek Krishti për gjithë sa ai vetë bën në shërbimin e Krishtit; “Sepse nuk do të guxoja të flas për ndonjë nga ato gjëra të cilat Krishti nuk i bëri nëpërmjet meje, për t'i sjell në dëgjes johebrenjtë me fjalë dhe me vepër.” Me fjalë të tjera, Pali i shërben Krishtit me atë fuqi që Krishti i shërben Palit. “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer” (Marku 10:45, shihni gjithashtu 1 Korintasve 15:10, 1 Pjetri 4:11). Do ta shtrembëronim gjithë kuptimin e Romakëve që nga fillimi nëse nuk dallojmë që Pali i shërben Krishtit me fuqinë që Krishti i siguron, kështu që Krishti merr lavdinë për shërbimin e Palit (shih 1 Pjetri 4:11).

Krishti sovran dhe gjithësigurues është ai të cilin e takojmë në frazën tjetër, “i thirrur për të qenë apostull.” Krishti e thirri Palin në rrugën për Damask dhe e caktoi të ishte përfaqësuesi i tij autoritar për themelimin e kishës me mësimin e vërtetë. Pastaj pamë dorën sovrane dhe gjithë planifikuese të Perëndisë në frazën tjetër, “i veçuar për ungjillin e Perëndisë”. Galatasve 1:15 thotë se Perëndia e veçoi Palin qysh para se të lindte. Perëndia është aq xheloz për mbërritjen dhe zbulimin e ungjillit të tij saqë nuk ia lë asgjë rastësisë.

Sot do të shohim këtë term, “ungjilli i Perëndisë” (1:1) dhe mënyrën sesi Pali e shtjellon në vargjet 2-4.

"… siç i kishte premtuar ai me anë të profetëve të tij në Shkrimet e shenjta …"

Gjëja e parë që Pali thotë rreth kësaj është ekzaktësisht në përputhje me atë që sapo kemi parë, me faktin që Perëndia është xheloz për të treguar se ungjilli u planifikua shumë kohë para se të ndodhte. Vargu 2, “... [Pali ishte] i veçuar për ungjillin e Perëndisë, siç i kishte premtuar ai [Perëndia] me anë të profetëve të tij në Shkrimet e shenjta.”

Konsiderojini këto tri gjëra nga vargu 2.

1) Ungjilli i Perëndisë është përmbushja e premtimeve të Dhjatës së Vjetër.

Nuk kemi një fe të re. Kjo është përmbushja e fesë së vjetër. Perëndia i Dhjatës së Vjetër është Perëndia i Dhjatës së Re. Atë që ai premtoi dhe përgatiti atëherë, e plotësoi në ardhjen e Jezusit.

2) Perëndia i mban premtimet.

Qindra vite kalojnë. Judenjtë vrasin mendjen nëse Mesia do të vijë. Ata kalojnë vuajtje të tmerrshme. Pastaj Perëndia vepron dhe premtimi plotësohet. Kjo do të thotë që Perëndisë mund t'i besohet. Mund të duket sikur ai i ka harruar premtimet e tij. Por ai nuk harron. Prandaj vargu 2 nuk është vetëm një deklaratë rreth përmbajtjes së ungjillit, por edhe një arsye për ta besuar atë. Nëse mund të shohim që Perëndia e premtoi Krishtin shekuj para se të vinte dhe në shumë detaje ai i plotëson këto premtime, atëherë besimi ynë forcohet.

3) Këto janë shkrime të shenjta dhe të frymëzuara të cilat duhet t'i druajmë dhe besojmë.

Vini re rrjedhojat jashtëzakonisht të rëndësishme të vargut 2 në lidhje me doktrinën tonë për Shkrimin. Së pari, kemi Perëndinë, pastaj kemi një premtim që Perëndia vendos të bëjë, pastaj kemi profetët “përmes” të cilëve (vini re, jo prej, por “përmes” të cilëve, kështu Perëndia vazhdon të jetë ai që flet) ai shqipton premtimet e tij, pastaj kemi shkrimet, dhe këto shkrime quhen të shenjta. Pse janë të shenjta – të veçuara prej gjithë shkrimeve të tjera, të çmuara dhe të vetmet e llojit të tyre? Për shkak se në to flet Perëndia. Lexojeni vargun me kujdes: “Siç i kishte premtuar ai [Perëndia] me anë të profetëve të tij në Shkrimet e shenjta.” Perëndia premtoi në Shkrimet. Kjo është ajo çka i bën ato të shenjta. Ky është kuptimi i Palit për Shkrimet të cilin duhet ta keni edhe ju. Nëse e keni vrarë ndonjëherë mendjen pse Bibla jonë thotë në kapak “Bibla e Shenjtë”, përgjigjen e keni tek Romakëve 1:2.

Në mënyrë që të mos na shpëtojë vlera e drejtpërdrejtë e kësaj për shtjellimin tonë të Romakëve, mbani mend tri gjëra: 1. Pali e sheh veten te Romakëve 1:1 si apostull të Krishtit Jezus, duke folur dhe shkruar me autoritet për Krishtin, si themeluesi i kishës, me fjalë të tjera, si një prej profetëve të lashtë (Efesianëve 2:20). 2. Pali tha tek 1 Korintasve 2:13, “ Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore.” Me fjalë të tjera, Pali pretendon një frymëzim të veçantë për mësimin e tij. 3. Tek 2 Pjetri 3:16, Pjetri thotë “ të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrëmbërojnë, sikurse bëjnë me Shkrimet e tjera.” Kështu Pjetri i vendos letrat e Palit në të njëjtën kategori me Shkrimet e shenjta për të cilat po lexojmë këtu.

Kjo është arsyeja përse predikimi është kaq serioz në jetën tonë së bashku. Ne besojmë se letra e Palit drejtuar Romakëve është fjala e Perëndisë, jo thjesht fjala e njeriut. Ungjilli ishte premtuar në shkrimet e shenjta të frymëzuara prej Perëndisë, ai shpaloset dhe ruhet për ne në shkrimet e shenjta të frymëzuara prej Perëndisë. Kjo është ajo që besojmë, dhe kjo sjell një ndryshim të jashtëzakonshëm në mënyrën sesi e shohim të vërtetën, doktrinën, predikimin, adhurimin dhe gjithçka tjetër në botë.

Prandaj gjëja e parë që Pali thotë rreth ungjillit të Perëndisë është që ai ishte planifikuar dhe parathënë shumë kohë më parë (1:2). Ai është ungjilli, “ siç i kishte premtuar ai me anë të profetëve të tij në Shkrimet e shenjta.”

"… lidhur me Birin e tij …"

Gjëja e dytë që ai thotë rreth ungjillit të Perëndisë (1:3) është që ai ka të bëjë me Birin e tij. “... ungjillin e Perëndisë, siç i kishte premtuar ai me anë të profetëve të tij në Shkrimet e shenjta, lidhur me Birin e tij...” Ungjilli i Perëndisë ka të bëjë me Birin e Perëndisë. Ne kemi nevojë menjëherë të kuptojmë qartë dy gjëra në lidhje me Birin e Perëndisë, ose ndryshe mund të ngatërrohemi shumë.

1) Biri i Perëndisë ekzistonte para se të bëhej qënie njerëzore.

Shihni Romakëve 8:3, “Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar.” Perëndia dërgoi Birin e tij për të marrë mbi vete natyrë njerëzore. Prandaj Biri ekzistonte si Biri i Perëndisë para se të bëhej njeri. Kjo do të thotë që Krishti është dhe ishte Biri i Perëndisë në një mënyrë plotësisht unike, jo në të njëjtën mënyrë si ne jemi bij të Perëndisë (Romakëve 8:14, 19).

2) Krishti vetë është Perëndi.

Tek Romakëve 9:5, ndërsa u referohet privilegjeve të Izraelit, Pali thotë, “... të tyre janë edhe etërit, prej të cilëve [Izraelit] rrjedh sipas mishit Krishti, i cili është përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë. Amen.” Dhe tek Kolosianëve 2:9 Pali thotë, “ sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë.” Prandaj kur Pali thotë që ungjilli i Perëndisë lidhur me Birin e tij, ai do të thotë se ka të bëjë me Birin hyjnor që ka ekzistuar qysh më parë. Ungjilli i Perëndisë nuk ka të bëjë me Perëndinë që rregullon çështjet njerëzore në një mënyrë më të mirë. Ungjilli ka të bëjë me Perëndinë që depërton në çështjet njerëzore nga jashtë në presonin e Birit të tij i cili është imazhi i përsosur i Atit dhe është vetë Perëndi.

Prandaj Pali i jep jashtëzakonisht shumë rëndësi “ungjillit të Perëndisë” duke thënë, së pari, që ai është premtuar – planifikuar – prej Perëndisë shumë kohë para se të ndodhte, dhe së dyti, ky ungjill ka të bëjë me Birin e tij hyjnor. Krijuesi sovran i universit, ka planifikuar gjëra të mira për botën, dhe në qendër të planit të tij është Biri i tij.

"… të lindur nga fara e Davidit sipas mishit …"

Gjëja e tretë që Pali thotë në lidhje me ungjillin e Perëndisë është që ky Bir hyjnor është “lindur nga fara e Davidit sipas mishit.” Kjo thotë njëherësh dy gjëra.

1) Biri i Perëndisë u bë njeri.

Ai lindi. Vepra që duhej të kryente, misioni në të cilin ishte, kërkonin që ai të merrte përsipër natyrë njerëzore, përkrah natyrës së tij hyjnore. Perëndia nuk zgjodhi një njeri dhe ta bënte birin e tij, ai zgjodhi që Birin e tij të përjetshëm dhe të vetëmlindur ta bënte njeri.

2) Ai lindi si pasardhës i Mbretit David në Dhjatën e Vjetër.

Pse është kjo pjesë e ungjillit të Perëndisë? Pse është ky lajm i mirë? Përgjigja është që të gjitha premtimet e Dhjatës së Vjetër vareshin tek ardhja e Mesias, të vajosurit, i cili do të sundojë si mbret në linjën e Davidit, do të mundë armiqtë e popullit të Perëndisë dhe do të sjellë drejtësi dhe paqe përgjithmonë. Ai do të ishte PO-ja ndaj gjithë premtimeve të Perëndisë.

Konsideroni disa premtime të Dhjatës së Vjetër. Jeremia 23:5, “Ja, ditët po vijnë", thotë Zoti, "në të cilat do të shkaktoj që të dalë nga Davidi një filiz i drejtë, që do të mbretërojë si mbret, do të ketë mbarësi dhe do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend.” Ose Isaia 11:10, “Atë ditë do të ndodhë që rrënja e Isait do të ngrihet si një flamur për popujt; kombet do ta kërkojnë dhe vendi i prehjes së tij do të jetë i lavdishëm.”

Prandaj ungjilli i Perëndisë është lajmi i mirë që tani, pas qindra vitesh, Perëndia ka vepruar për të plotësuar planin dhe premtimin e tij që nga prejardhja e Davidit do të vijë një mbret, ashtu si Isaia 9:6-7 thotë, “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij.”

Prandaj “ungjilli i Perëndisë” është lajmi i mirë që koha ka ardhur dhe mbretëria e Perëndisë është afër (Marku 1:14-15), “Jezusi erdhi në Galile duke predikuar ungjillin e mbretërisë së Perëndisë, dhe duke thënë: "U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin.” Ardhja e Birit të Perëndisë në botë ishte ardhja e “Birit të Davidit,” Mbretit të premtuar. Ai do të sundojë mbi kombet dhe do të triumfojë kundër armiqve të Perëndisë, do të mbretërojë me drejtësi dhe paqe, dhe sipas Isaias 35:10, “Të shpëtuarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me britma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të kenë gëzim dhe lumturi, dhe dhembja e rënkimi do të ikin.” Kjo është ajo çka e bën vargun 3 “ungjillin e Perëndisë.” Ardhja e Birit të Perëndisë si Biri i Davidit do të thotë gëzim i përjetshëm në praninë e Perëndisë – për të gjithë të shpenguarit e Zotit.

"… i deklaruar Biri i Perëndisë në fuqi, sipas Frymës së shenjtërisë nëpërmjet ringjalljes prej së vdekurit …"

Ka edhe një gjë tjetër që Pali e thotë në lidhje me “ungjillin e Perëndisë.' Jo vetëm që kjo u planifikua dhe u premtua përpara se të ndodhte, jo vetëm që ka të bëjë me Birin e tij hyjnor që ka ekzistuar qysh më parë, jo vetëm që është lajmi se Biri i tij ka lindur si njeri, si biri i Davidit për të përmbushur shpresat dhe shpresat e Dhjatës së Vjetër për drejtësi, paqe dhe gëzim në mbretërinë e Perëndisë, por në vargun 4, Pali thotë diçka që ishte si shkatërrimtare ashtu edhe ngazëllyese. Ai thotë që Biri i Perëndisë “ i deklaruar Biri i Perëndisë në fuqi, sipas Frymës së shenjtërisë nëpërmjet ringjalljes prej së vdekurit.”

Pse them që kjo ishte shkatërrimtare? Shumica e Judenjve në kohën e Palit prisnin që Mesia të vinte me pushtet dhe forcë politike, do të mposhte sunduesit e botës, Romakët, dhe do themelonte një mbretëri tokësore në Jerusalem dhe kështu të jetonte përjetë triumfues me popullin e tij. Por ajo që Pali thotë në vargun 4 do të thotë që mes vargut 3 dhe 4 Biri i Davidit vdiq. Ai vdiq! Ata që menduan se ai ishte Mesia ishin të rrënuar. Mesitë nuk vdesin. Ata jetojnë, fitojnë dhe sundojnë. Kjo ishte absolutisht shkatërrimtare. (Luka 24:21, “Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin.”)

Pali do t'i kthehet sërish vdekjes së Krishtit në kapitujt 3, 5 dhe 8. Por tani ai shkon menjëherë tek nota ngazëllyese e triumfit të ungjillit të Perëndisë. Ky Mesi i vdekur, thotë Pali në vargun 4, u ringjall prej së vdekuri. Kjo gjendet në zemër të ungjillit të Perëndisë. Dhe Pali thotë dy gjëra rreth kësaj ringjalljeje.

1) Kjo ringjallje prej së vdekurish ishte “sipas Frymës së shenjtërisë.”

Çfarë do të thotë kjo? Unë them që do të thotë të paktën dy gjëra.

a. Fryma e Shenjtë e Perëndisë e ringjalli Jezusin prej së vdekuri.

Këtë e bazoj tek Romakëve 8:11 ku Pali thotë, “ Dhe në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t'u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju.” Ky varg mëson që ne do të ringjallemi prej Frymës së Perëndisë që banon në ne, ashtu si u ringjall Krishti. Prandaj Fryma ishte i përfshirë në ringjalljen e Jezusit prej së vdekuri.

b. Por, pse përdor Pali këtë shprehje të pazakontë “Fryma e shenjtërisë” (e cila nuk gjendet askund tjetër në Dhjatën e Re)?

Ja sugjerimi im. Të merreshe me të vdekurit ishte punë me spec. Kur Sauli donte të komunikonte me të vdekurit shkoi tek Mediumia e Endorit (1 Samueli 28:7vazhdim), kjo ishte një gjë sekrete dhe e errët. Mediumët, shortarët dhe magjistarët ishin neveri në Izrael. Kur të vdekurit vdesin, i lë vetëm dhe nuk ke punë me ta. Seancat e spiritizmit ishin dhe janë të paligjshme për besimtarët. Komunikimi me të vdekurit ka qenë një lloj magjie e zezë, aspak e bukur, e pastër apo e shenjtë. Është gjithçka por jo këto. Fjalët për një njeri të ekzekutuar që u ringjall prej së vdekuri duhet t'u kenë tingëlluar shumë vetëve si absolutisht e tmerrshme, e shëmtuar, e ndyrë dhe e papastër, ashtu si shortaria apo magjia e zezë.

Përkundrejt kësaj Pali thekson tamam të kundërtën: Krishti u ringjall prej së vdekuri në përputhje me Frymën e shenjtërisë, jo një frymë e errët, frymë e ndyrë apo e ligë, por nga Fryma e Vetë Perëndisë që mbi të gjitha karakterizohet prej shenjtërisë. Ai nuk u ndot në ringjalljen e Jezusit. Kjo ishte gjë e shenjtë që duhej bërë. Ishte e drejtë, e mirë, e pastër, e bukur, që nderonte Perëndinë dhe nuk e përçmonte. Ishte e shenjtë.

2) Përmes kësaj ringjalljeje Krishti u “deklarua [apo, caktua] Biri i Perëndisë në fuqi.”

Fraza kyçe këtu është “me fuqi.” Mendoj se përkthimet NAB (Përkthmi i Ri Amerikan), KJV (Versioni i Mbretit Jakob) dhe RSV (Versioni Standard i Rishikuar) kanë të drejtë kur tregojnë që kjo frazë cilëson “Biri i Perëndisë.” Ideja nuk është që Krishti nuk ishte Biri i Perëndisë para ringjalljes. Ideja është që në ringjallje Krishti kaloi nga të qenurit Bir i Perëndisë në përulësi, dobësi dhe kufizime njerëzore tek të qenurit Bir i Perëndisë me fuqi. Fraza kyçe është “me fuqi.”

Kjo është ajo që Jezusi donte të thoshte pas ringjalljes kur tha, “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.” (Mateu 28:18). Kjo është ajo që Pali donte të thoshte tek 1 Korintasve 15:25-26 kur tha për Krishtin e ringjallur, “Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t'i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta. Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja.” Me fjalë të tjera, Jezusi është mbreti Mesianik. Ai po mbretëron tani mbi botë. Ai po i vendos të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e tij. Do të vijë një ditë kur ai do të shfaqet nga sundimi i tij i padukshëm me një lavdi të dukshme dhe do ta themelojë mbretërinë e tij hapur dhe në mënyrë të lavdishme mbi tokë. Kjo është ajo çka Pali do të thotë me “Biri i Perëndisë me fuqi.” Ai po sundon tani. Ai po i realizon qëllimet e tij tani përmes Frymës dhe kishës së tij. Do të vijë dita kur Krishti do të mposhtë çdo armik, dhe çdo gju do të përulet, dhe çdo gjuhë do të rrëfejë se ai është Zot për lavdi të Perëndisë Atë (Filipianëve 2:11).

Ky ka për të qenë konsumimi i ungjillit të Perëndisë. Për të cilin themi, “Amen, eja Zoti Jezus.”

©2014 Desiring God Foundation. Used by Permission.

Permissions: You are permitted and encouraged to reproduce and distribute this material in its entirety or in unaltered excerpts, as long as you do not charge a fee. For Internet posting, please use only unaltered excerpts (not the content in its entirety) and provide a hyperlink to this page. Any exceptions to the above must be approved by Desiring God.

Please include the following statement on any distributed copy: By John Piper. ©2014 Desiring God Foundation. Website: desiringGod.org