Ne soditëm lavdinë e tij, plot hir e të vërtetë

Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë. Gjoni dëshmoi për të dhe thirri duke thënë: ''Ky është ai, për të cilin thashë: 'Ai që vjen pas meje më ka paraprirë, sepse ishte përpara meje'''. Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir. Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit. Askush s'e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t'Et, është ai që e ka bërë të njohur.

Le të fillojmë me vargun 14 dhe të shohim pikën kryesore të këtij paragrafi. “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.” Kthehuni tek vargu 1 dhe kujtoni kujt i referohet Fjala, “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Perëndi.” (Gjoni 1:1). Fjala pra i referohet Perëndisë Bir.

Unë përdor termin Bir për shkak se ky është termi që përdoret këtu në vargun 14, “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit.” Fjala pra është Biri i Perëndisë.

Një Perëndi, Tre Persona

Muslimanët pengohen tek fjala Bir ashtu si dhe shumë të tjerë. Disa prej tyre mendojnë se ne duam të themi që Perëndia kishte marrëdhënie seksuale me Marinë dhe kështu prodhuan një bir. Kjo nuk është ajo që do të thotë Bibla. Gjoni 1:1 thotë, “Në fillim ishte Fjala.” Ky është Biri i Perëndisë. Ai nuk pati një fillim. Ai ishte atje në fillim. Ai ishte atje sado pas të shkoni, deri në përjetësi. Dhe vargu 3 thotë, “Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.” Kjo do të thotë që ai nuk u krijua. Ai nuk është pjesë e krijimit në ndonjë mënyrë. Ja pra se çfarë dimë për Birin e Perëndisë: 1) Ai është Perëndi. 2) Ati është gjithashtu Perëndi. 3) Biri nuk është Ati, ai ishte me Atin. 4) Ai është i përjetshëm dhe i pakrijuar.

Ka shumë më tepër për të thënë në lidhje me doktrinën e Trinisë – mësimi që Perëndia ekziston si një Perëndi në tre Persona, Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. Por për tani mbani kaq në mendjen dhe zemrën tuaj. Biri dhe Ati janë një Perëndi, por dy Persona. Ata kanë një natyrë hyjnore. Ata janë një Perëndi me dy qendra ndërgjegjshmërie.

Perëndia u bë njeri pa pushuar së qënuri Perëndi

Ajo që thotë vargu 14 – gjë e cila është një prej ngjarjeve më të rëndësishme në histori – është që Fjala, Biri u bë njeri pa pushuar së qënuri Perëndi. Këtë gjë do të shohim për dy javë. Nga e dimë që është kështu dhe çfarë kuptimi ka për ne personalisht?

“Fjala u bë mish.” Kjo është Fjala hyjnore, Biri hyjnor i Perëndisë i cili u bë qënie njerëzore pa pushuar së qënuri Perëndi. Si e dimë këtë gjë? Dhe çfarë kuptimi ka kjo për ne? Gjithë kohën

Fjala banoi ndër ne

Arsyeja e parë që themi se Fjala hyjnore nuk pushoi së qënuri Fjala hyjnore kur u bë njeri është deklarata në vargun 14 që Fjala “banoi ndër ne.” Kryefjala e fjalisë me foljen banoi është Fjala. Dhe Fjala është Perëndi. Prandaj mënyra më e natyrshme për ta marrë këtë gjë është që Perëndia, Fjala, banoi ndër ne. Kjo është arsyeja pse engjëlli tha tek Mateu 1:23, “Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t'i venë emrin Emanuel, që do të thotë: 'Zoti me ne'”. Fjala, Biri, nuk pushoi së qënuri Perëndi kur u bë njeri.

Lavdi si Biri i vetëm i Perëndisë

Arsyeja e dytë pse e besojmë këtë është për shkak të pjesës së dytë të vargut 14, “Ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit.” Lavdinë e kujt? Lavdinë e Fjalës, Fjalës që është Perëndi. Çfarë lloj lavdie është kjo? Është lavdia “si e të vetëmlindurit prej Atit.”

Kur Gjoni thotë që lavdia e mishërimit të Fjalës është “si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit,” fjala si mos do të thotë që është një lavdi imitimi? Që nuk është lavdia e vërtetë e Birit por vetëm si lavdia e Birit? Nuk mendoj kështu. Nëse them, për shembull, “Kam një libër që dua ta dhuroj dhe këtë dua t'jua jap juve si zgjedhja ime e parë,” ju nuk reagoni duke thënë, “Unë nuk jam me të vërtetë zgjedhja jote e parë, unë jam vetëm si zgjedhja jote e parë.” Jo. Ky nuk është kuptimi i fjalës si kur them, “Po jua jap si zgjedhja ime e parë.” Do të thotë që po jua jap juve ashtu siç jeni në të vërtetë zgjedhja ime e parë. Kur Gjoni thotë, “Ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit,” ai do të thotë, “Ne e kemi parë lavdinë e tij ashtu siç është në të vërtetë, lavdia e Birit të Perëndisë.”

Këtë e dimë pasi sërish në pjesën e parë të vargut 14 Gjoni thotë thjesht dhe në mënyrë të drejpërdrejtë, “Ne soditëm lavdinë e tij.” pa ndonjë cilësim. Lavdinë e kujt? Lavdinë e Fjalës së përjetshmë, të Birit. “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne, dhe ne soditëm lavdinë e tij.” Prandaj nuk ka asnjë zbehje të mahnisë së mishërimit. Fjala u bë mish dhe ai u bë kështu pa pushuar së qënuri Perëndi. Ai manifeston lavdinë e Perëndisë.

Çfarë kuptimi ka kjo për ne?

Vargjet 15-18 na japin më tepër arsye për të besuar se Fjala u bë mish pa pushuar së qënuri Perëndi. Dashtë Zoti këto do t'i shohim javën e ardhëshme. Por tani, le të hetojmë në vargun 14 se çfarë do të thotë për ne që Fjala u bë mish, që Biri i Perëndisë u bë njeri pa pushuar së qënuri Perëndi. Përse po e bëj këtë pyetje? Së pari, për shkak se teksti i përgjigjet. Por ka edhe një arsye tjetër.

Kultivimi i një kulture marrëdhëniesh

A ju kujtohet që para dy javësh predikova disa mesazhe duke ju përgjëruar Perëndisë që t'i përdorte ato për të rritur atë që unë e quajta një kulturë marrëdhëniesh në kishën tonë? E shpjegova atë që doja të thoja nga Filipianët 2:3-4, “Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten. Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.” Me fjalë të tjera, le të rritemi si kishë në mënyrën si shkojmë përtej vetes, u shërbejmë të tjerëve dhe interesohemi për ta.

A ju kujtohet se cila ishte baza e atij qëndrimi prej shërbëtori në marrëdhënie? Vargjet në vazhdim na shpjegojnë, “Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit” (Filipianëve 2:5-7). Me fjalë të tjera, themeli i një dashurie të përulur dhe shërbyese bashkë me kulturën e ripërtërirë të marrëdhënieve në Kishën Baptiste Betlehem ishte, Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne – dhe vdiq për ne.

Mishërimi dhe Zbatimi

Arsyeja pse po e vë këtë gjë në dukje është që të mos themi, “Ne vendosëm theksin tonë të vogël tek marrëdhëniet verën e shkuar dhe tani i jemi futur teologjisë.” Jo. E vetmja teologji që vlen për ndonjë gjë është ajo e Filipianëve 2, e cila është ekzaktësisht si ajo e Ungjillit të Gjonit. Ajo na ndihmon të njohim Krishtin, të mburremi në Krishtin dhe të transformohemi prej Krishtit për hir të dashurisë (13:34, 15:12), gjë e cila do të thotë që e ndryshon kishën tonë në zonën e marrëdhënieve. Na bën më të dashur, më të dobishëm, më shërbyes, më pak krenarë, më pak egoistë, më pak të tërhequr, më tepër të kujdesshëm.

Prandaj kur them, “Le të mos largohemi nga vargu 14 derisa të pyesim çfarë do të thotë për ne që Fjala u bë mish,” mund të dëgjoni rrahjet e zemrës pas kësaj pyetjeje. Gjithmonë i kam sytë tek ndryshimi që sjell kjo teologji madhështore në jetët dhe marrëdhëniet tona personale.

Në Jezusin shohim lavdinë e Perëndisë

Prandaj çfarë do të thotë për ne që Fjala u bë mish? Vargu 14 thotë, “Ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.” Do të thotë që në Jezu Krishtin mund të shohim lavdinë e Perëndisë. Do të thotë që lavdia e Perëndisë e zbuluar në Jezusin nuk na konsumon në mëkatin tonë. Në vend të kësaj, ajo është “plot hir dhe të vërtetë.” Që do të thotë se, lavdia e Perëndisë në Krishtin është predispozimi i tij i hirshëm ndaj nesh pa bërë kompromis me vërtetësinë dhe besnikërinë e tij ndaj vetes. Ky predispozim i hirshëm është jashtëzakonisht i madh. Prandaj ai përdor fjalën plot, fjala plot përcakton lavdinë. Lavdia e Birit të Perëndisë është plot hirshmëri ndaj nesh mëkatarëve pa bërë kompromis me të vërtetën e Perëndisë.

Plot hir . . .

Ky është lajm vërtet i mirë. Perëndia mund të kishte zgjedhur të bëhej mish si gjykatës dhe ekzekutues. Që të gjithë ne do gjendeshim fajtorë para tij dhe do dënoheshim me ndëshkim të përjetshëm. Por ai nuk u bë mish në atë mënyrë. Fjala, Biri, që është Perëndi, u bë mish për të zbuluar lavdinë hyjnore e cila është “plot hir dhe të vërtetë.” Fjala e Perëndisë u bë mish për të qenë i hirshëm ndaj nesh. Fjala u bë mish në mënyrë që kjo hirshmëri ndaj nesh të përputhej me vërtetësinë e Perëndisë. Ky nuk ka për të qenë një hir shkel e shko, sentimental dhe pa parime.

Ky ka për të qenë një hir i kushtueshëm, i drejtë dhe që e lartëson Perëndinë. Kjo ka për të çuar drejt e tek vdekja e Jezuit në kryq. Në fakt, kjo është arsyeja pse ai u bë mish. Ai duhej të kishte mish në mënyrë që të vdiste. Ai duhej të ishte njeri në mënyrë që të vdiste si Perëndia-njeri në vendin tonë (Hebrenjve 2:14-15). Fjala u bë mish në mënyrë që vekja e Jezu Krishtit të ishte e mundur. Kryqi është vendi ku plotësia e hirit shkëlqeu më fort. Atje u hiri u krye dhe u ble.

. . . dhe të vërtetë

Arsyeja që ndodhi përmes vdekjes është për shkak se Biri i Perëndisë është plot hir dhe të vërtetë. Perëndia është i hirshëm ndaj nesh dhe i vërtetë me veten. Prandaj, kur Biri i tij erdhi ishte plot hir dhe të vërtetë. Kur Krishti vdiq, Perëndia u tregua i vërtetë ndaj vetes, për shkak se mëkati u ndëshkua. Dhe kur Krishti vdiq, Perëndia u tregua i hirshëm ndaj nesh, për shkak se Krishti mbarti ndëshkimin për ne.

“Fjala u bë mish” do të thotë për ne që lavdia e Perëndisë është zbuluar në histori si kurrë më parë, domethënë në plotësinë e hirit dhe plotësinë e së vërtetës gjë e cila shkëlqen më fort në vdekjen e Jezuit për mëkatarët.

Soditja e Bukurisë Frymërore

Këtu kini kujdes që të mos thoni, “Epo unë nuk isha atje për ta parë prandaj kjo lavdi nuk është në dispozicionin tim për ta parë. Ju tipat fetarë mund të flisni sa të doni për lavdinë e Birit të Perëndisë, por ai nuk është këtu që ta shohim.” Kini kujdes. Mos mendoni për këtë lavdi në vargun 14 si thjesht shkëlqim apo bukuri vetëm e jashtme. Jezusi nuk ishte i shkëlqyer apo i bukur nga ana fizike, “Nuk kishte figurë as bukuri për të tërhequr shikimin tonë, as paraqitje që ne ta dëshironim.” (Isaia 53:2).

Mos mendoni për këtë lavdi në vargun 14 si thjesht demonstrim mrekullish. Kishte njerëz që i panë mrekullitë, e dinin që ato ndodhën dhe nuk panë asgjë të bukur apo të lavdishme. Ata donin ta vrisnin atë (Gjoni 11:45-48).

Jo “lavdia” e zbuluar e Birit të Perëndisë, lavdia e Fjalës, lavdia e Jezu Krishtit, në ardhjen e tij të parë, është më së shumti një lavdi frymërore, një bukuri frymërore. Nuk është diçka të cilën e shihni me sytë tuaj fizikë, por me sytë e zemrës suaj (Efesianëve 1:18). Ne shohim mënyrën si ai flet, vepron, do dhe vdes dhe përmes hirit ne shohim një bukuri apo lavdi hyjnore që vërteton vetveten.

Një përzierje e pashoqe e hirit dhe të vërtetës

Pali tha kështu tek 2 Korintasve 4:4, “Të cilëve perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata.” “Lavdia e Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë,” është ajo që Gjoni 1:14 e quan, “si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.”

Mbani mend, Pali po u flet njerëzve që nuk e kishin parë kurrë Jezusin mbi tokë dhe Gjoni po e shkruan Ungjillin e tij për njerëz që nuk e panë kurrë Jezusin tokësor, njerëzve si ne. Lavdia e Gjonit 1:14 dhe lavdia e 2 Korintasve 4:4 është një lavdi të cilën e shihni në realitetin frymëror kur dëgjoni historinë e Jezusit.

Nuk ka pse ta shihni atë fizikisht. Jezusi tha tek Gjoni 20:29, “lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!” Ju e takoni atë në Ungjillin e Gjonit dhe në shkrimet e tjera të Biblës. Dhe kur e takoni atë, përmes këtyre historive të frymëzuara të fjalëve dhe veprave të tij, lavdia e tij shkëlqen – bukuria e asaj përzierjeje të pashoqe të hirit dhe të vërtetës që vërteton vetveten.

Lindur sërish prej Ungjillit

Nuk është aksident që vargjet 12-13 përshkruajnë të lindurit sërish dhe vargu 14 përshkruan soditjen e lavdisë së Birit të Perëndisë. Vargjet 12-14,

“por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij, të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia. Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.”

Mbani mend vargun 4, “Në atë ishte jeta, dhe jeta ishte drita e njerëzve.” Kur jepet jetë e re frymërore, shfaqet një dritë e re. Drita nuk është një dritë fizike. Ajo është shkëlqimi frymëror i lavdisë së Birit të Perëndisë të cilës i referohet vargu 14. Kështu ne shohim!

Si na ndodh ne kjo jetë e re frymërore? Vargu 13 thotë që kjo ndodh kur ne lindim sërish jo prej njeriut por prej Perëndisë. Kjo ndodh përmes lindjes sërish. Kjo është mënyra si vijmë në besim dhe pranojmë Krishtin, kështu bëhemi fëmijë të Perëndisë (Gjoni 1:12).

Përmes ungjillit, përmes dëgjimit të historisë së fjalëve dhe veprave shpëtuese të Jezusit, Perëndia krijon në ne jetë frymërore. Ne lindim prej Perëndisë përmes ungjillit (1 Pjetri 1:23-25). Dhe ajo jetë e re frymërore sheh dritën e lavdisë së Krishtit (Gjoni 1:14). Ajo e sheh atë menjëherë. Kjo është arsyeja pse Gjoni 812 e quan atë “drita e jetës.” Kur juve ju jepet jetë frymërore, shihni lavdinë frymërore.

Soditni Lavdinë

Një mënyrë tjetër për ta thënë këtë, sipas vargut 12 është që kjo jetë e re dhe ky shikim i ri beson tek drita dhe e pranon dritën si të vërtetën dhe lavdinë e Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Në atë jetë dhe dritë, besim dhe pranim vargu 12 thotë që ne fitojmë të drejtën për t'u bërë fëmijë të Perëndisë. Kjo do të thotë, ne jemi fëmijë të Perëndisë për shkak se kjo jetë dhe dritë, besim dhe pranim janë e drejta jonë për të qenë fëmijë të Perëndisë.

Prandaj unë ngre lart përpara jush Birin e Perëndisë të mishëruar, Fjalën që u bë mish dhe banoi ndër ne pa pushuar së qënuri Perëndi. Soditni lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit Bir prej Atit, plot hir dhe të vërtetë. Soditni atë, sa i lavdishëm që është dhe jetoni. Amen

©2014 Desiring God Foundation. Used by Permission.

Permissions: You are permitted and encouraged to reproduce and distribute this material in its entirety or in unaltered excerpts, as long as you do not charge a fee. For Internet posting, please use only unaltered excerpts (not the content in its entirety) and provide a hyperlink to this page. Any exceptions to the above must be approved by Desiring God.

Please include the following statement on any distributed copy: By John Piper. ©2014 Desiring God Foundation. Website: desiringGod.org