Çfarë portretizon Pagëzimi

Por ligji ndërhyri me qëllim që shkelja të teprohej; por aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt, me qëllim që ashtu si mëkati ka mbretëruar te vdekja, ashtu edhe hiri të mbretërojë me anë të drejtësisë në jetën e përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë. Çfarë të themi, pra? A të mbetemi në mëkat, që të teprojë hiri? Aspak! Ne që jemi të vdekur për mëkatin, si do të jetojmë akoma në të? Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës.

Ky është mesazhi i fundit në këtë seri të shkurtër rreth pagëzimit. E di që ka shumë më tepër për të thënë. Me vjen keq nëse nuk u jam përgjigjur disa prej pyetjeve tuaja. Por do të kemi më tepër mundësi në raste të ndryshme për t'i diskutuar këto gjëra.

Mbani mend që një prej motiveve tona kryesore për këtë seri predikimesh në fillim të verës është që besojmë se Dhjata e Re u bën thirrje njerëzve të vijnë hapur dhe me guxim tek Krishti. Ne dëshirojmë të shohim njerëz që kanë qenë besimtarë të vijnë në atë pikë në dëshminë e tyre publike, duam të shohim që njerëzit të bëhen besimtarë përmes dëshmisë tuaj dhe shërbesës së Fjalës gjatë kësaj vere.

Përse e caktoi Jezusi aktin e pagëzimit?

Nganjëherë mund të mendojmë pse Jezusi e caktoi aktin e pagëzimit. Pse keni një gjë të tillë si pagëzimi? Nëse shpëtimi është prej hirit me anë të besimit, përse të themelohet një ritual apo simbol i domosdoshëm për ta treguar këtë besim? Kjo është një pyetje të cilës Bibla nuk i përgjigjet. Por përjetimi na mëson disa gjëra interesante.

Për shembull, pas mesazhit tim të parë tri javë të shkuara dikush që ka qenë misionar në ishujt Filipine erdhi tek unë dhe më shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e saj për këtë seri dhe pastaj më tregoi pse. Ajo tha që në Filipine, atje ku ka pak Katolicizëm nominal dhe sinkretist, të kthyerit në besim toleroheshin dhe rrallë viheshin re prej familjes së tyre deri në momentin që pagëzoheshin. Atëhere realizoheshin parashikimet biblike për armiqësi dhe ndarje. Ka diçka rreth këtij rituali publik të një besimi të ri të sapo gjetur që e bën të qartë ku qëndron personi dhe çfarë po bën. Me fjalë të tjera, në shumë kultura sot situata është shumë e ngjashme me atë të Gjon Pagëzorit. Ai erdhi duke predikuar një pagëzim pendimi dhe ata që mendonin se tashmë kishin gjithçka që ju nevojitej shpesh u tërbuan.

Të njëjtën javë më erdhi kjo revista e misionit (The Dawn Report, 30 Maj). Në faqen 7 është fotoja e një burri që po pagëzohet në një lumë, dhe poshtë fotos thuhej:

“Takimet në natyrë dhe pagëzimet në lumë nganjëherë janë mjetet më të mira për rritje.”

Ne thjesht nuk e dimë gjithë tërësinë e arsyeve që Perëndia kishte në urtësinë e tij kur e përshkroi pagëzimin si një mënyrë normative për të shprehur besimin në Krishtin dhe identifikimin me popullin e tij. Mund të mendojmë për disa arsye pse është gjë e mirë, por ndoshta nuk mund të mendojmë dot gjithë efektet e mira që Perëndia synon përmes kësaj gjëje. Në fund të fundit ky është një veprim besimi në Atin tonë që ai e di çfarë po bën dhe jemi të lumtur t'i bindemi urdhërit të tij.

Zhytje apo spërkatje?

Sot do të përpiqem t'ju tregoj prej Romakëve 5:20-64 pak më tepër nga kuptimi i këtij veprimi. Kjo ka për të trajtuar gjithashtu pyetjen që disa prej jush kanë në lidhje me mënyrën e pagëzimit, domethënë, zhytje apo spërkatje. Në fakt, më lejoni të filloj me një fjalë të përgjithshme për mënyrën e zhytjes karshi asaj të spërkatjes. Ka të paktën tri lloj provash për të besuar se kuptimi dhe praktika e Dhjatës së Re ishte përmes zhytjes. 1) Kuptimi i fjalës baptizo në Greqisht në thelb është “të zhysësh” ose “fundosësh” dhe jo të spërkatësh. 2) Përshkrimet e pagëzimeve në Dhjatën e Re sugjerojnë se njerëzit zbritën në ujë për t'u zhytur në vend që uji të sillej tek ata në një enë dhe pastaj të derdhej apo spërkatej mbi ta (Mateu 3:6, “në Jordan”, 3:16 “ai doli nga uji”, Gjoni 3:23, “atje kishte shumë ujë”, Veprat 8:38, “zbritën tek uji”). 3) Zhytja përputhet me simbolizmin e varrosjes me Krishtin (Romakëve 6:1-4, Kolosianëve 2:12).

Nuk ka pse të ngelemi këtu, por më lejoni të them një fjalë për mënyrën se si mund të shohim faktin që kisha jonë dhe denominacioni ynë e bëjnë pagëzimin me zhytje pjesë përcaktuese të anëtarësisë në komunitetin vendor të besëlidhjes (por jo në trupin universal të Krishtit). Ne nuk besojmë se mënyra e pagëzimit është veprim thelbësor për shpëtimin. Prandaj nuk e vëmë në dyshim pozitën e Krishterë të dikujt thjesht në bazë të mënyrës së pagëzimit të tyre. Dikush mund të pyesë, a nuk duhet të pranoni atëherë si anëtarë ata që vërtet kanë lindur sërish por janë pagëzuar si besimtarë me spërkatje? Ka dy mënyra për të shpjeguar përse nuk e bëjmë këtë.

1) A duhet ta quajmë një metodë pagëzimi të bërë nga njerëzit “pagëzim,” nëse besojmë me prova të mira që kjo largohet prej formës që Krishti inaguroi? A nuk do të rrezikonte kjo minimizimin e rëndësisë që vetë Krishti i veshi kësaj porosie?

2) Komunitetet vendore të krishtera, të quajtura kisha, ndërtohen përreth bindjeve Biblike të përbashkëta, disa prej të cilave janë thelbësore për shpëtimin dhe disa jo. Ne nuk e përkufizojmë jetën tonë të besëlidhjes së bashku vetëm përmes tufës më të ngushtë të mundshme të doktrinave që dikush duhet të ketë për t'u shpëtuar. Përkundrazi, ne besojmë se rëndësia e së vërtetës dhe autoriteti i Shkrimit nderohen më mirë kur komunitetet e besimit të Krishterë e përkufizojnë veten përmes një tufe bindjesh Biblike dhe të qëndrojnë pas tyre, në vend që të ripërkufizojnë kuptimin e anëtarësisë sa herë që një prej bindjeve të tyre vihet në dyshim. Kur komunitete të ndryshme të Krishtera mund ta bëjnë këtë ndërsa shprehin dashuri dhe ndjeshmëri vëllazërore për besimtarët e tjerë, respektohen si duhet dashuria dhe e vërteta. Për shembull, fakti që shumica e folësave që ftojmë në Konferencën e Pastorëve mund të mos jenë anëtarë të kësaj kishe thotë që ne e marrim dashurinë, unitetin dhe të vërtetën seriozisht.

Cilat gjëra jo thelbësore do të përfshihen nga një brez në tjetrin për të përkufizuar komunitete të ndryshme varet më së shumti në situatat dhe vlerësimet e ndryshme se cilat të vërteta duhet të theksohen.

Çfarë portretizon pagëzimi

Me këtë sfond le të shohim Romakëve 5:20-6:4 për të parë se çfarë portretizon pagëzimi, dhe vetëm si dytësore të shohim çfarë rrjedhojash ka kjo për mënyrën e pagëzimit. Synimi im këtu është t'ju ndihmoj të shihni realitetin e lavdishëm drejt të cilit tregon pagëzimi në mënyrë që më së shumti vetë realiteti t'ju mbërthejë dhe së dyti, bukuria dhe rëndësia e këtij veprimi të ngrihet në mendjen dhe zemrën tuaj. Romakëve 5:20-6-4

Por ligji ndërhyri me qëllim që shkelja të teprohej; por aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt, me qëllim që ashtu si mëkati ka mbretëruar te vdekja, ashtu edhe hiri të mbretërojë me anë të drejtësisë në jetën e përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë. Çfarë të themi, pra? A të mbetemi në mëkat, që të teprojë hiri? Aspak! Ne që jemi të vdekur për mëkatin, si do të jetojmë akoma në të? Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës.

Një prej gjërave madhështore rreth këtij teksti është që na treon se, po ta kuptoni atë që portretizon pagëzimi, kuptoni atë që vërtet ndodh me ju kur bëheni i Krishterë. Shumë prej nesh erdhën në besim dhe u pagëzuam në një moment kur nuk dinim shumë. Kjo është mirë. Pritet që pagëzimi të ndodhë hershëm në ecjen e Krishterë atëherë kur nuk dini shumë. Prandaj pritet që më vonë të mësoni gjithnjë e më tepër se çfarë kuptimi ka kjo gjë.

Mos mendoni, “Oh, duhet të kthehem dhe të pagëzohem sërish. Nuk e dija që kishte gjithë këtë kuptim.” Jo. Kjo do të thotë që do pagëzoheshit sërish me çdo kurs të ri në teologjinë Biblike. Përkundrazi, gëzohuni që e treguat besimin tuaj të thjeshtë në bindje ndaj Jezusit dhe tani po mësoni gjithnjë e më tepër se çfarë kuptimi kishte. Këtë po bën Pali këtu, ai po shpreson që lexuesit e tij të dinë se çfarë kuptimi kishte pagëzimi i tyre, por ai gjithsesi vazhdon dhe i mëson, në rast se nuk e dinë apo e kanë harruar. Mësoni prej këtyre vargjeve çfarë portretizonit një herë në sytë e Perëndisë, dhe çfarë ju ndodhi në realitet kur u bëtë të Krishterë.

Do flas vetëm për dy gjëra që portretizohen nga pagëzimi në këto vargje.

1. Pagëzimi portretizon vdekjen tonë në atë të Krishtit.

Vargjet 3-4a, “Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje.” Këtu kemi një të vërtetë për ne si të Krishterë. Ne kemi vdekur. Kur Krishti vdiq, vdiq vdekjen tonë. Kjo do të thotë të paktën dy gjëra.Një është që ne nuk jemi të njëjtët njerëz që ishim dikur, vetja jonë e vjetër ka vdekur. Nuk jemi të njëjtët. 2) Tjetra është që vekja jonë e ardhëshme fizike nuk ka për të patur të njëjtin kuptim për ne siç do të kishte nëse Krishti nuk do të kishte vdekur vdekjen tonë. Përderisa kemi vdekur me Krishtin, dhe ai vdiq vdekjen tonë për ne, vdekja jonë nuk do të jetë ajo gjë e tmerrshme që mund të ishte. “O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote?” (1 Korintasve 15:55). Përgjigja është që gjëmba dhe fitorja e vdekjes janë përpirë prej Krishtit.

Mbani mend që javën e kaluar, ai piu kupën. Vini re përsëritjen e fjalës “në” në vargjet 3 dhe 4. Pagëzuar “në Krishtin Jezus,” dhe pagëzuar “në vdekjen e tij” (vargu 3), dhe pagëzim “në vdekjen e tij” (vargu 4a). Ajo që thuhet këtu është që pagëzimi portretizon bashkimin tonë me Krishtin, që do të thotë, jemi të bashkuar me të nga ana frymërore, kështu që vdekja e tij bëhet vdekja jonë dhe jeta e tij do bëhet jeta jonë. Si e përjetojmë këtë? Si ta dini nëse kjo ju ka ndodhur juve? Përgjigja është që kjo përjetohet prej besimit. Këtë mund ta dëgjoni në vargjet paralele. Galatasve 2:20 e bën lidhjen me besimin, “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë...” Me fjalë të tjera, “uni” që vdiq ishte “uni” i vjetër rebel dhe mosbesues, dhe “uni” që erdhi në jetë ishte “uni” i besimit - “dhe ajo jetë që tani [unë] jetoj në mish, [unë] e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë.” Baza e gjithë kësaj është bashkësia me Krishtin - “Krishti rron në mua”. Dhe unë jetoj në të – në bashkim frymëror me të. Vdekja e tij është vdekja ime dhe jeta e tij jetohet në jetën time.

Një ilustrim tjetër i kësaj do të ishte Kolosianëve 2:6-7a, “Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të, duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim.” Këtu sërish mund të shohim se besimi në Krishtin është mënyra si përjetoni bashkësi me Krishtin. E pranoni atë si Zot dhe Shpëtimtar dhe në atë besim bashkoheni me të dhe ecni “në të”, ndërtoheni “në të”.

Prandaj kur Romakëve 6:3-4a thotë që ne u pagëzuam në Krishtin dhe në vdekjen e tij, unë e marr me kuptimin se pagëzimi shpreh besimin në të cilin përjetojmë bashkësi me Krishtin. Kjo ndoshta është arsyeja pse Perëndia e projektoi mënyrën e pagëzimit për të protretizuar një varrim. Ai përfaqëson vdekjen që përjetojmë kur bashkohemi me Krishtin. Kjo është arsyeja pse zhytemi, ky është një varrim simbolik.

Prandaj, besimtarë dijeni që keni vdekur. “Uni” i vjetër rebelues dhe mosbesues është kryqëzuar me Krishtin. Ky ishte dhe është kuptimi i pagëzimit tuaj.

2. Pagëzimi portretizon risinë e jetës tonë në Krishtin.

Vargu 4, “Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës.” Askush nuk qëndron poshtë ujërave të pagëzimit. Ne dalim prej ujërave. Pas vdekjes vjen jeta e re. “Uni” i vjetër i rebelimit dhe mosbesimit vdiq kur u bashkova me Krishtin përmes besimit. Por në atë moment që “uni” i vjetër vdiq një “un” i ri erdhi në jetë – një person i ri frymëror si të thuash u ngrit prej së vdekuri.

Komentari më i rëndësishëm mbi këtë të vërtetë është Kolosianëve 2:12. Pali thotë, “të varrosur bashkë në të në pagëzim, ju edhe u ringjallët bashkë në të, me anë të besimit në fuqinë e Perëndisë që e ka ringjallur prej së vdekurish.” Vini re, ne jemi ringjallur me Krishtin ashtu si Romakëve 6:4 thotë që ecim në risinë e jetës. Aty kemi punën e Perëndisë që e ngriti atë prej së vdekuri ashtu si Romakëve 6:4 thotë se Krishti u ngrit përmes lavdisë së Atit. Kjo ndodh përmes besimit në veprën e Perëndisë që e ngriti Jezusin prej së vdekuri.

Prandaj Kolosianëve 2:12 e bën të qartë atë që Romakëve 6:4 e lë të nënkuptohet – që pagëzimi shpreh besimin tonë në veprën e Perëndisë për ta ringjallur Jezusin prej së vdekuri. Ne besojmë se Krishti është ngritur nga varri dhe sot mbretëron në krahun e djathtë të Atit në qiell, prej nga do të vijë sërish me pushtet dhe lavdi. Ky besim në punën e Perëndisë, në lavdinë e Perëndisë siç e quan Pali – është mënyra se si marim pjesë në risinë e jetës që Krishti ka në vetvete.

Në fakt, risia e jetës është jeta e besimit në lavdinë dhe veprën e Perëndisë. “ Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë... dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë.” Risia e jetës është ajo jetë besimi ditë pas dite në punën e Perëndisë, në lavdinë e Perëndisë.

Pagëzimi portretizon atë që na ndodhi kur u bëmë të krishterë

Prandaj le ta përmbledhim dhe të dalim në konkluzion. Pagëzimi portretizon atë që na ndodhi kur u bëmë të Krishterë. Kjo na ndodhi ne: u bashkuam me Krishtin. Vdekja e tij bëhet vdekja jonë. Ne vdiqëm me të. Dhe në po atë moment, jeta e tij u bë jeta jonë. Tani po jetojmë jetën e Krishtit në ne. E gjitha kjo përjetohet prej besimit.

Ky është kuptimi i asaj se çfarë do të thotë të jesh i Krishterë – të jetosh në realitetin që portretizon pagëzimi ynë; ditë pas dite largojmë shikimin nga vetja, e drejtojmë tek Perëndia dhe themi, “Për shkak të Krishtit, Birit tënd unë vij tek ti. Në të unë të përkas ty. Jam i mirëpritur tek ti. Ai është shpresa ime e vetme e pranimit tek ti. E marr sërish çdo ditë atë pranim. Shpresa ime bazohet tek vdekja e tij për mua dhe tek vdekja ime në të. Jeta ime në të është një jetë besimi në ty Atë. Për shkak të tij besoj në punën tënde në mua dhe për mua. Të njëjtin pushtet dhe lavdi që e përdore kur e ringjalle atë prej së vdekuri do ta përdorësh për të më ndihmuar mua. Unë besoj dhe shpresoj në atë premtim hiri të ardhshëm. Kjo e bën jetën time të re. O Krisht, unë mburrem në atë që portretizon pagëzimi im! Faleminderit që vdiqe vdekjen time për mua dhe më dhe jetë të re. Amen.”