Në fillim ishte Fjala

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.

Ungjilli sipas Gjonit është një portret i Jezu Krishtit dhe veprës së tij shpëtuese. Ai fokusohet në tre vitet e fundit të jetës së Jezusit dhe në mënyrë të veçantë në vdekjen dhe ringjalljen e tij. Qëllimi i tij është i qartë tek Gjoni 20:30-31, “Jezusi bëri edhe shumë shenja të tjera në prezencën e dishepujve të tij, të cilat nuk janë shkruar në këtë libër. Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.” Ky libër është shkruar për t'i ndihmuar njerëzit të besojnë në Krishtin dhe të kenë jetën e përjetshme.

I shkruar për jo të krishterët – dhe për të krishterët

Mos mendoni se ky libër është vetëm për jobesimtarët. Besimtarët në Jezusin duhet të vazhdojnë t'i besojnë atij në mënyrë që të shpëtohen në fund. Jezusi tha tek Gjoni 15:6, “Në qoftë se ndokush nuk qëndron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj i mbledhin, i hedhin në zjarr dhe digjen.” Dhe tek Gjoni 8:31 ai tha. “'Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi.”

Prandaj kur Gjoni thotë, “Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.” ai do të thotë se po shkruante për të zgjuar besim tek besmtarët dhe për ta mbështetur atë tek besimtarët dhe në këtë mënyrë t'i udhëheqë të dyja grupet tek jeta e përjetshme. Në Bibël mund të mos ketë libër më të mirë për të na ndihmuar të vazhdojmë t'i besojmë dhe ta çmojmë Krishtin mbi gjithçka.

Tregimi i një dëshmitari okular

Ky portret i Jezusit është shkruar prej një dëshmitari okular që ishte pjesë e këtyre ngjarjeve jashtëzakonisht të rëndësishme. Pesë herë në këtë Ungjill gjejmë fjalët e zakonshme “dishepulli të cilin Jezusi e donte” (13:23, 19:26, 20:2, 7, 21:20). Për shembull, në fund fare tek Gjoni 21:20 thuhet, “Dhe Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte dishepulli, të cilin Jezusi e donte.” Pastaj katër vargje më vonë tek 21:24 thuhet, “Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që ka shkruar këto gjëra; dhe ne dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.” Prandaj ai që quhet “dishepulli të cilin Jezusi e donte”, ai që ishte i mbështeur në kraharorin e Jezusit darkën e fundit (13:23), e shkroi këtë libër si dëshminë e tij hyjnisht të frymëzuar për ngjarjet e jetës së Jezusit dhe për kuptimin që ato kanë për ne.

Frymëzuar në mënyrë hyjnore

Një prej arsyeve pse them se ky libër është i frymëzuar nga ana hyjnore është për shkak të asaj që Jezusi premtoi se do të bënte. Ai tha tek Gjoni 14:26, “Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t'ju mësojë çdo gjë dhe do t'ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.” Dhe tek Gjoni 16:13, “Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t'ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t'ju kumtojë gjërat që do vijnë.”

Me fjalë të tjera, Jezusi i zgjodhi apostujt e tij si përfaqësuesit e tij, i shpëtoi, i mësoi, i dërgoi dhe pastaj përmes Frymës së Shenjtë u dha udhëzime hyjnore për të shkruar Shkrimet, për themelimin e kishës (Efesianëve 2:20). Ne besojmë se Ungjilli i Gjonit është fjala e frymëzuar e Perëndisë.

Tre vargjet e para të Gjonit

Këto fjalë, “fjala e Perëndisë” na sjellin tek fjalët e para të Ungjillit sipas Gjonit. Gjoni 1:1-3, “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.” Këto janë vargjet në të cilat do të fokusohemi sot.

“Fjala” Jezusi

Së pari, do të fokusohemi tek termi Fjala. “Në fillim ishte Fjala.” Gjëja më e rëndësishme për të ditur rreth kësaj Fjale gjendet në vargun 14, “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.” Fjala i referohet Jezu Krishtit.

Gjoni e di se për çfarë do të shkruajë në këto 21 kapituj. Ai do të na tregojë historinë e asaj që Jezu Krishti bëri dhe mësoi. Ky është një libër rreth jetës dhe veprës së njeriut Jezu Krisht, njeriut që Gjoni e njohu, e pa, e dëgjoi dhe e preku me duart e tij (1 Gjoni 1:1). Ai kishte mish dhe gjak. Ai nuk ishte një fantazmë apo hije që dukej dhe zhdukej. Ai hëngri, piu dhe u lodh dhe Gjoni e njohu nga shumë afër. Nëna e Jezusit jetoi me Gjonin gjatë pjesës së fundit të jetës së saj (Gjoni 19:26).

Prandaj, ajo që Gjoni po bën tek Gjoni 1:1-3 është që po na tregon gjërat më të rëndësishme rreth Jezusit që ka mundësi. Gjonit ju deshën më tepër se tre vjet për të kuptuar plotësisht kush ishte Jezusi. Por ai nuk dëshiron që dëgjuesve të tij t'u duhen më shumë se tre vargje për të zbuluar atë që Gjonit iu desh kaq shumë kohë për ta zbuluar. Ai dëshiron që në mendjen tonë të kemi të qartë dhe të fiksuar qysh prej fillimit të Ungjillit të tij, madhështinë dhe hyjninë e përjetshme dhe të drejtat e Jezu Krishtit si Krijues.

Jezusi në madhështinë e tij të pafundme

Kjo është ideja e vargjeve 1-3. Ai ka për qëllim që ta lexojmë këtë Ungjill, me adhurim, përulësi, nënshtrim, të mahnitur prej faktit që njeriu në dasëm, tek pusi dhe mbi mal është Krijuesi i universit. A e shihni këtë gjë, a e ndjeni? Kjo nuk është ideja ime. Kjo nuk është skica e predikimit tim. Kjo është struktura e librit. Kjo është mënyra si shkroi Gjoni, mënyra sesi Perëndia kishte për qëllim që ai t'i rrëfente gjërat. Ju apo unë mund ta kishim shkruar në një mënyrë që e zbulon madhështinë e Jezusit dalë nga dalë që lexuesi të pyesë, kush është ky njeri?

Por Gjoni thotë jo. “Me fjalët e para të pendës time, do t'ju shastis dhe mahnis me identitetin e këtij njeriu që u bë mish dhe banoi mes nesh. Prandaj nuk ka asnjë gabim në këtë pikë.” Gjoni ka për qëllim që ne të lexojmë çdo fjalë të këtij Ungjilli me një njohuri të qartë, të qëndrueshme dhe të mahnitur që Jezu Krishti ishte me Perëndinë, ishte Perëndi dhe ai që e dha jetën e vet për ne (Gjoni 15:13) është ai që krijoi universin. Gjoni dëshiron të njihni dhe të besoni në këtë Shpëtimtar të mahnitshëm. Çfarëdo gjëje tjetër që mund t'ju pëlqejë tek Jezusi, Gjoni dëshiron të dini dhe çmoni Jezusin në madhështinë e tij të pafundme.

Përse “Fjala”?

Por ende duhet të pyesim, përse Gjoni zgjodhi ta quante Jezusin “fjala”? “Në fillim ishte Fjala.” Përgjigja ime për këtë pyetje është kjo, Gjoni e quan Jezusin Fjala për shkak se ai i kishte parë fjalët e Jezusit si të vërtetën e Perëndisë dhe personin e Jezusit si e vërteta e Perëndisë në një formë aq të unifikuar saqë vetë Jezusi në ardhjen, veprën, mësimin, vdekjen dhe ringjalljen, ishte Mesazhi përfundimtar dhe i plotë i Perëndisë. Apo për ta thënë më thjesht: Ajo që Perëndia donte të na thoshte ne ishte jo vetëm apo kryesisht ajo që Jezusi tha, por kush ai ishte dhe çfarë bëri. Fjalët e tij bëjnë më të qartë veten dhe veprën e tij. Vetja dhe vepra e tij ishin e vërteta kryesore që Perëndia po zbulonte. Jezusi tha, “Unë jam e vërteta” (Gjoni 14:6)

Ai erdhi për të dëshmuar të vërtetën (Gjoni18:37) dhe ai vetë ishte e vërteta (Gjoni 14:6). Dëshmia dhe personi i tij ishin Fjala e së vërtetës. Ai tha, “Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi” (Gjoni 8:31), “Qëndroni në mua .” (Gjoni 15:7). Kur qëndrojmë në të qëndrojmë në Fjalën. Ai tha se veprat e tij ishin “dëshmi” për të (Gjoni 5:36, 10:25). Me fjalë të tjera, në veprimtarinë e tij ai ishte Fjala.

Jezusi: Mesazhi përfundimtar dhe i plotë i Perëndisë

Tek Zbulesa 19:13 (libër ky i shkruar nga i njëjti autor), ai përshkruan kthimin e lavdishëm të Jezusit, “Dhe ishte i veshur me një rrobe të ngjyer në gjak; dhe emri i tij quhet: 'Fjala e Perëndisë'”. Jezusi quhet Fjala e Perëndisë, ndërsa kthehet në tokë. Dy vargje më vonë Gjoni thotë, “Dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë.” (Zbulesa 19:15). Me fjalë të tjera, Jezusi i godet kombet me fuqinë e fjalës së Perëndisë që ai flet, shpata e Frymës (Efesianëve 6:17). Por fuqia e kësaj Fjale është aq e bashkuar me vetë Jezusin saqë Gjoni thotë që ai nuk është se thjesht ka një shpatë të fjalës së Perëndisë që del nga goja e tij, por ai vetë është Fjala e Perëndisë.

Prandaj ndërsa Gjoni nis Ungjillin e tij, ai ka para sysh gjithë zbulesën, gjithë të vërtetën, gjithë dëshminë, gjithë lavdinë, gjithë dritën, gjithë fjalët që dalin prej Jezusit në jetën, mësimin, vdekjen, ringjalljen e tij dhe ai e përmbledh të gjithë atë zbulesë të Perëndisë me emrin, Ai është “Fjala”, e parë, përfundimtare, vendimtare, absolutisht e vërtetë dhe e besueshme. Kuptimi është i njëjtë si tek Hebrenjve 1:1-2, “Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit.” Biri i Perëndisë i mishëruar është fjala kulminante dhe vendimtare e Perëndisë për botën.

Katër vëzhgime rreth Jezusit

Çfarë dëshiron të na thotë Gjoni më së pari rreth këtij njeriu Jezu Krishtit, veprat dhe fjalët e të cilit mbushin faqet e këtij Ungjilli? Ai dëshiron të na tregojë katër gjëra rreth Jezu Krishtit: 1) kohën e ekzistencës së tij, 2) thelbin e identitetit të tij, 3) marrëdhënien e tij me Perëndinë, dhe 4) marrëdhënien e tij me botën.

1) Koha e ekzistencës së tij

Vargu 1, “Në fillim ishte Fjala.” Fjalët “në fillim” janë identike me dy fjalët e para të Dhjatës së Vjetër në Greqisht. “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.” Ky nuk është aksident, për shkak se gjëja e parë që Gjoni do të na tregojë rreth asaj që bëri Jezusi është që ai krijoi universin. Këtë thotë ai në vargun 3. Prandaj fjalët “në fillim” nënkuptojnë, para se të kishte ndonjë gjë të krijuar ishte Fjala, Biri i Perëndisë.

Mbani mend, “Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë.” (Gjoni 20:31). Gjoni e nis Ungjillin e tij duke e vendosur Jezusin, Krishtin, Birin e Perëndisë në lidhje me kohën, domethënë para kohës. Juda përdëllehet në këtë të vërtetë në doksologjinë e tij, “Të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, tani dhe përjetë. Amen. (Juda 1:25). Pali thotë tek 2 Timoteu 1:9 që Perëndia na dha hir në Krishtin Jezus “përpara fillimit të epokave.” Prandaj, përpara se të ekzistonte koha apo çfarëdolloj materieje, ishte Fjala, Jezu Krishti, Biri i Perëndisë. Ky është ai që do ta takojmë në këtë Ungjill.

2) Thelbi i identitetit të tij

Vargu 1, në fund thotë, “Fjala ishte Perëndi.” Një prej shenjave dalluese të këtij Ungjilli është që doktrinat më të rëndësishme shpesh përcillen me fjalët më të thjeshta. Kjo nuk ka si të jetë më e thjeshtë dhe nuk ka si të jetë më e rënësishme se kaq. Fjala, që u bë mish dhe banoi ndër ne, Jezu Krishti, ishte dhe është Perëndi.

Le të bëhet e njohur, me zë të lartë dhe qartë se në Kishën Baptiste Betlehem, në fakt në të gjitha kishat e vërteta të krishtera, ne e adhurojmë Jezu Krishtin si Perëndi. Ne biem në gjunjë përpara Jezusit bashkë me Thomain tek Gjoni 20:28 dhe rrëfejmë me gëzim dhe mahni, “Zoti im dhe Perëndia im!”

Kur i dëgjojmë udhëheqësit fetarë Judenj të thonë tek Gjoni 10:33, “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi,” thërrasim, “Jo, kjo nuk është blasfemi. Ky është Jezusi, Shpëtimtari ynë, Zoti dhe Perëndia ynë.”

A e shihni se çfarë do të thotë kjo për serinë tonë mbi Ungjillin e Gjonit? Do të thotë se do të kalojmë javë pas jave duke e njohur Perëndinë, ndërsa njohim Jezusin. A dëshiron të njohësh Perëndinë? Eja me ne, ftoji të tjerët, të vijnë dhe ta takojnë Perëndinë ndërsa takojmë Jezusin.

Nëse një Dëshmitar i Jehovait apo Musliman ju thotë ndonjëherë, “Ky është keqpërkthim. Nuk duhet të thotë “Fjala ishte Perëndi.” Por duhet të thotë, “Fjala ishte një perëndi.” Ka një mënyrë këtu tek vetë kontekti që mund ta dini se ky pretendim është i gabuar edhe nëse nuk dini Greqisht. Do t'jua tregoj pas pak në pikën e fundit. Por së pari. Le të shohim marrëdhënien e tij me Perëndinë.

3) Marrëdhënia e tij me Perëndinë

Vargu 1, pjesa e mesit të vargut, “Fjala ishte me Perëndinë.” “Në fillim ishte Fjala, fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Perëndi.” Kjo është zemra e doktrinës së madhe historike të Trinisë. Një ditë mund të jap një mesazh vetëm për këtë doktrinë nga pjesa tjetër e Gjonit dhe nga Shkrimet e tjera.

Por tani thjesht lëreni këtë deklaratë të drejtpërdrejtë të qëndrojë në mendjen tuaj dhe të zhytet në zemrën tuaj: Fjala, Jezu Krishti ishte me Perëndinë dhe ishte Perëndi. Ai është Perëndi dhe ka një marrëdhënie me Perëninë. Ai është Perëndi, ai është shembëlltyra e Perëndisë, që në mënyrë të përsosur reflekton gjithë sa Perëndia është dhe qëndron prej përjetësisë si plotësia e hyjnisë në një Person të dallueshëm. Ka vetëm një Esencë hyjnore dhe tre Persona, tri qendra ndërgjegjshmërie. Dy prej tyre përmenden këtu. Ati dhe Biri. Këta emra i mësojmë më vonë në këtë libër. Fryma e Shenjtë prezantohet më vonë.

Përderisa shohim në mënyrë të zbehtë dhe njohim pjesërisht (1 Korintasve 13:9, 12), mos u habisni që kjo për ne ngelet ende një mister. Por mos e hidhni tej. Nëse Jezu Krishti nuk është Perëndi, ai nuk mund ta realizojë shpëtimin tuaj Hebrenjve 2:14-15). Lavdia e tij nuk ka për të qenë e mjaftueshme për të kënaqur dëshirën tuaj të përjetshme për zbulime të reja të bukurisë. Nëse e hidhni tej hyjninë e Jezu Krishtit, hidhni tej shpirtin tuaj dhe bashkë me të gjithë gëzimin tuaj në epokën që do të vijë.

Prandaj kemi parë, 1) kohën e ekzistencës së tij (para gjithë kohërave), 1) thelbin e identitetit të tij (“Fjala ishte Perëndi”), dhe 3) marrëdhënien e tij me Perëndinë (“Fjala ishte me Perëndinë”). Tani do ta mbyllim duke parë marrëdhënien e tij me botën.

4) Marrëdhënia e tij me botën

Vargjet 2-3, “Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.” Fjala që u bë mish dhe banoi ndër ne, na mësoi, na shëroi, na qortoi, na mbrojti, na deshi dhe që vdiq për ne është ai që krijoi universin. Mbani mend të ruani misterin e Trinisë nga vargu 1. Mos e lini atë mënjanë sapo të arrini në vargun 3. “Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij.” Po, një tjetër po vepronte përmes Fjalës. Perëndia. Por Fjala është Perëndi. Prandaj, mos ja lejoni vetes të zvogëloni madhështinë e veprës së Krishtit si Krijues. Ai ishte agjenti i Atit, apo Fjala, në krijimin e të gjitha gjërave. Por duke e bërë këtë, ai ishte Perëndi. Perëndia, Fjala krijoi botën. Shpëtimtari yt, Zoti yt, Miku yt, Jezusi është Krijuesi yt.

Jezusi nuk u krijua

Le të supozojmë që një Musliman apo një Dëshmitar i Jehovait, apo dikush nga çfarëdo degë e Arianizmit (herezia e lashtë nga shekulli i katërt) ju thotë, “Jezusi nuk është Perëndi, nuk ishte i përjetshëm, nuk ka lindur nga përjetësia, por është krijuar. Ai ishte i pari i krijimit. Më i larti nga të gjithë engjëjt.” Apo si thanë dhe Arianët, “Ishte një kohë kur ai nuk ishte.” Gjoni ka shkruar vargun 3 tamam në një mënyrë që e bën këtë gjë të pamundur.

Ai nuk tha vetëm, “Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij.” Mund të mendonit se kjo mjafton. Ai nuk është krijesë, ai krijoi krijesa. Por dikush mund të thotë, “Po, por “të gjitha gjërat” nuk e përfshin atë.” Përfshin gjithçka por jo atë. Prandaj ai u krijua prej Atit, por pastaj bashkë me Atin krijoi të gjitha gjërat.

Por Gjoni nuk e la me kaq. Ai tha, duke shtuar pjesën e fundit të vargut 3, “... dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.” Çfarë i shtojnë fjalët e fundit “ato që u bënë” kuptimit të “dhe pa atë nuk u bë asnjë”? “Dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.” Ato shtojnë këtë, bëjnë të qartë, theksojnë dhe kristalizojnë se çfarëdo gjëje në kategorinë e bërë, u krijua prej Krishtit. Prandaj, Krishti nuk u krijua. Sepse para se të ekzistosh nuk mund ta sjellësh veten dot në ekzistencë.

Krishti nuk u krijua. Ky është kuptimi se çfarë do të thotë të jesh Perëndi. Fjala ishte Perëndi.

Na ndihmoftë Zoti të shohim lavdinë e tij dhe ta adhurojmë. Amen