Pasion për Supremacinë e Perëndisë, Pjesa 1

Passion 97

Austin, TX

Arsyet përse kam ardhur në Pasioni '97

*Arsyeja #1 *

Dua të filloj duke ju treguar disa prej arsyeve pse jam këtu. Një prej avantazheve të mëdha kur je pastor i një kishe lokale për 16-17 vjet është që me kalimin e muajve dhe viteve vizioni i kishës dhe vizioni i pastorit bëhen një. Para një viti prodhuam një deklaratë vizioni që thotë kështu:

Ne ekzistojmë të përhapim një pasion për supremacinë e Perëndisë në të gjitha gjërat për gëzimin e të gjithë popujve.

Mendoj që mund ta them pa hezitim që ky është misioni i jetës time si dhe misioni i kishës Baptiste Betlehem. Prandaj kur mora ftesën, lexova për këtë konferencë, pashë fjalën “pasion” dhe të vërtetën pas Isaia 26:8, “O Zot, ne të kemi pritur. Dëshira e shpirtit tonë i drejtohet emrit tënd dhe kujtimit tënd.” - u mbërtheva.

Dëshiroja të përhapja një pasion për supremacinë e Perëndisë në të gjitha gjerat për gëzimin e të gjithëve ju dhe gjithë popujve të botës. Prandaj kjo është arsyeja numër një përse erdha këtu.

*Arsyeja #2 *

Arsyeja numër dy është që dua të shërbej si një shkrepëse e vogël për të ndezur gëzimin tuaj. Dëshiroj që të largoheni nga ky vend të rrëqethur dhe të lumtur në Perëndinë.

*Arsyeja #3 *

Dhe arsyeja e tretë është që dua të shihni prej Shkrimit që arsyeja e parë dhe arsyeja e dytë janë e njëjta arsye. Ato janë një. Kjo do të thotë që të përhap një pasion për supremacinë e Perëndisë dhe të jem i lumtur në Perëndinë janë në fakt identike. Për shkak se Perëndia lavdërohet më tepër në ju kur ju kënaqeni më tepër në të.

Kjo është fjalia të cilës do t'i kthehem herë pas here: Perëndia lavdërohet më tepër në ju kur ju kënaqeni më tepër në të. Prandaj këngët që kemi kënduar dhe etja që kemi shprehur janë mënyra për t'i dhënë lavdi Perëndisë. Për shkak se sa më tepër ta gjejmë kënaqësinë tonë në të, aq më tepër do të pijmë dhe hamë në tryezën e banketit të tij që është vetë ai, aq më tepër do të lartësohet vlera dhe gjithëmjaftueshmëria e tij. Prandaj nuk ka konkurencë, dhe kjo është mrekullia, kjo për mua është ungjilli, të cilin e zbulova në vitet '68, '69. dhe '70 ndërsa Perëndia po punonte në jetën time. Nuk ka konkurencë mes pasionit të Perëndisë që të lavdërohet dhe pasionit tuaj që të kënaqeni, për shkak se këto të dyja janë një.

Ka një mënyrë tjetër për ta forumuluar arsyen e tretë përse jam këtu. Kam ardhur të shkrij një akullnajë. Në mendje kam një tabllo. Kjo vjen nga Mateu 24. Tek Mateu 24, flitet për fundin e epokës, Jezusi thotë: “Duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t’i ftohet dashuria.” Kam shumë frikë që të ftohem. E urrej mendimin që dashuria ime për Perëndinë apo për njerëzit një ditë do të thahet apo ngrijë.

Megjithatë Jezusi thotë, “Kjo ditë po vjen!” Po vjen si një akullnajë përgjatë botës. Prandaj pjesë e pritjes time për ditët e fundit është që paudhësia do të shtohet dhe që dashuria e shumëkujt do të ftohet. Ky mund të jetë një përshkrim shumë i zymtë i ditëve të fundit. Por nëse vazhdoni të lexoni tek Mateu 24 në vargun tjetër 13 thuhet, “por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet.” Prandaj dikush do të këmbëngulë. Dhe vargu tjetër thotë, “Dhe ky ungjill i mbretërisë” - me fjalë të tjera “ky ungjilli i përhapjes së një pasioni për supremacinë e Mbretit Jezus” - do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi.” Tani vendoseni vargun 12 përkrah vargut 14 dhe shihni nëse mund ta ndjeni tensionin. “Paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t’i ftohet dashuria,” por “Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi.”

Ka një tension mes këtyre dy vargjeve. Arsyeja përse e di që ekziston është që nuk janë njerëzit e ftohtë ata që do ta çojnë këtë ungjill në universitetet e tyre. Nuk janë njerëzit e ftohtë që do ta çojnë atë tek popujt e paaritur të botës. Si e di unë këtë gjë? Për shkak se po të ktheheni pak pas disa vargje, në vargun 9, gjeni diçka në një fjalë profetike që është shumë e ndryshme. Aty thuhet, “Atëherë do t’ju dorëzojnë në mundime dhe do t’ju vrasin; dhe të gjithë kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.” Jezusi thotë.

Nëse kjo është e vërtetë, nëse do t'ju dorëzohemi autoriteteve gjatë punës tonë misionare, nëse do të vritemi, nëse do të urrehemi nga çdo komb tek i cili do të shkojmë, një gjë e di me siguri, nuk janë njerëzit e ftohtë ata që do ta përcjellin mesazhin. Janë adhuruesit e ndezur flakë të Mbretit Jezus që do ta kryejnë këtë punë. Prandaj, ajo që shoh në vargjet 9-14 të Mateut 24 është që, ndërsa fundi i epokës afron, do të ketë njerëz që po ngrijnë si akull dhe ka njerëz që janë të ndëzur flakë aq sa të japin edhe jetën për Jezusin mes gjithë popujve të botës.

Prandaj shërbesa ime në kishën Baptiste Betlehem dhe mbërritja ime këtu është të shkrij një akullnajë. E tregova këtë imazh një herë në kishën time dhe një vajzë e vogël 6 apo 7 vjeç, erdhi tek unë pas shërbesë. I inkurajoj fëmijët në kishën tonë që t'i vizatojnë predikimet e mia. Ajo më tha, “Ja çfarë pashë unë.” Ajo kishte vizatuar një akullnajë të mrekullueshme mbi të cilën kishte shkruar Miniapolis, gjithashtu ishte një vizatim njeriu që po mbante lart një pishtar dhe në majë të akullnajës ishte krijuar një vrimë. Sipër shkëlqente dielli i cili po depërtonte përmes vrimës,

Ja ku është eskatologjia ime në një guackë. Nëse e vrisni mendjen si do jetë universiteti juaj kur të kthehet Jezusi, si do duket Austin apo Miniapolis, apo ngado që të jeni ju: akullnaja po lëviz dhe shumë njerëz po ftohen karshi Perëndisë, po thahen, po ngrijnë, por në Bibël nuk thuhet asnjë gjë e tillë rreth fundit të kohërave që “kisha Baptiste Betlehem” apo “Miniapolis” madje, ose “Universiteti i Austinit në Teksas duhet të jetë nën këtë akullnajë.” Asnjë gjë e tillë nuk thuhet! Nëse ka mjaft njerëz me pishtarë të ndëzur flakë për Perëndinë, që po e shkrijnë akullnajën, mund të hapet një vrimë e madhe sipër universiteteve, kishave apo madje edhe sipër qyteteve tuaja. Kjo është arsyeja përse jam këtu. Dua të ngre pishtarin tim.

Spërxhën e kishte zakon të thoshte për Anglinë para një qind vitesh ndërsa predikonte në Tabernakullin Metropolitan, “Njerëzit vijnë të më shohin teksa digjem.” Ata vijnë me pishtarin e tyre që regëtin, e afrojnë tek pishtari im dhe pastaj shkojnë të digjen edhe një javë tjetër për Jezusin. Do të isha mëse i ngazëlluar nëse keni sjellë pishtarin tuaj që regëtin dhe ta ndizni në flakën time. Kjo është arsyeja pse jam këtu.

Qëllimi i këtij mesazhi: Hedhja e Themelit

Ka një themel për atë që dua të bëj. Detyra ime është të flas rreth të jetuarit për lavdinë e Perëndisë, të kesh një pasion për lavdinë e Perëndisë. Kam dy mesazhe, këtë mëngjes dhe nesër në mëngjes. Sot do hedhim themelin dhe nesër do bëjmë zbatimin.

Themeli është ky: pasioni juaj për supremacinë e Perëndisë në të gjitha gjërat bazohet qartë në pasionin e Perëndisë për supremacinë e Perëndisë në të gjitha gjërat. Përqëndrimi juaj në Perëndinë, nëse do të vazhdojë, duhet të rrënjoset në përqëndrimin e Perëndisë në Perëndinë. Nëse dëshiron që Perëndia të jetë suprem në jetën tënde duhet të shohësh, besosh dhe duash të vërtetën që Perëndia është suprem në jetën e Perëndisë. Nëse dëshiron që Perëndia të jetë thesari yt, ashtu si kemi kënduar këtu, në mënyrë që të vlerësosh Perëndinë më tepër se çdo gjë, duhet të shohësh dhe të besosh që thesari i Perëndisë është Perëndia, që ai çmon Perëndinë më tepër se çdo gjë tjetër. Ne nuk mund t'ja mohojmë Perëndisë kënaqësinë më të lartë në univers, dmth, adhurimin e Perëndisë. Ky është themeli, për këtë dua të flas sot.

Dhe pastaj nesër, dua të flas për kërkimin tuaj të gëzimit në Perëndinë, që ky kërkim është i nënkuptuar në kërkimin e Perëndisë për lavdinë e tij në jetën tënde.

Pasioni i Perëndisë për lavdinë e Tij

Më lejoni t'ja nis me një histori të shkurtër, para 8 apo 9 vitesh fola në kolegjin Uitën. Kjo ishte mundësia ime e parë në këtë kishë të madhe, blu plot shandanë dhe të bukur. U ngrita dhe thashë, “Qëllimi përfundimtar i Perëndisë është të lavdërojë Perëndinë dhe të kënaqet me të përgjithmonë.” Dhe të gjithë miqtë e mi që gjendeshin lart në ballkon thanë, “Oh, jo, e katranosi që në mundësinë e parë të për t'u folur këtyre studentëve, kthehet pas 20 vitesh dhe e keqciton Katekizmin e Uestminsterit duke thënë “Qëllimi përfundimtar i Perëndisë në vend që të thotë qëllimi përfundimtar i njeriut.” Për fatin e tyre të mirë vazhdova të them, “Këtë e kisha me gjithë mend.” E kam me gjithë mend edhe këtë mëngjes; qëllimi përfundimtar i Perëndisë është të lavdërojë Perëndinë dhe të kënaqet me të përgjithmonë.

U rrita në familjen e një ungjilltari. Babai im Bill Pajpër, më mësoi qysh kur isha i vogël vargun 1 Korintasve 10:31, “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.” Por nuk kisha dëgjuar kurrë dikë që të thoshte që Perëndia bën gjithçka për lavdinë e Perëndisë. Që rrënja e jetës time për lavdinë e Perëndisë është fakti që Perëndia jeton për lavdinë e Perëndisë.

Nuk kam parë kurrë një studim të diele që të thotë, “Perëndia do veveten më tepër se të do ty, dhe këtu qëndron e vetmja shpresë që ai të mund të dojë ty, kështu si je i padenjë.” Nuk e kam lexuar kurrë këtë gjë në një fletë mësimi të shkollës së të dielës, dhe kjo është arsyeja përse po punojmë për një kurikulum në Kishën Baptiste Betlehem. Shumica prej nesh u rritën në familje dhe kisha ku u ngazëlluam për të qenë të krishterë gjer në atë masë që mendonim se Perëndia ishte i ngazëlluar për ne dhe jo deri në atë shkallë që ne u ngazëlluam rreth një Perëndie të fokusuar në Perëndinë.

Në një botë që ka njeriun në qendër, ku vlerësimi për veten është vlera më e lartë, është shumë e lehtë të jesh i krishterë deri në atë shkallë sa bësh atë që do kishit bërë gjithsesi, edhe pa Perëndinë. Kush nuk do të ishte i krishterë? Në fakt, nuk je i krishterë nëse do vetëm atë që do doje po të mos ishe përballur me bukurinë e një Perëndie të fokusuar në Perëndinë. Nëse Perëndia është vetëm një mjet drejt lartësimit dhe përparimit të vetes tënde, në vend që të shohësh në të diçka pafundësisht të lavdishme, si një Perëndi të pushtuar me manifestimin e lavdisë së tij, atëherë duhet të shqyrtosh kthimin tënd në besim. Ky pra është testi i realitetit të madh këtu në Austin në konferencën Pasion 97. Shumë pak njerëz më kanë thënë ndonjëherë, apo më kanë treguar atë që shoh tani në Bibël, që Perëndia më zgjodhi për lavdinë e tij.

Mbaj mend që po jepja mësim rreh Efesianëve 1, në vitin 1976 në postin që e quanim “Ndërmjet” në Kolegjin Bethel, ndërsa po kaloja sistematikisht përgjatë 14 vargjeve të para të Efesianëve dhe po përjetoja sesi bota ime po shpërthente sërish. Kjo për shkak se tri herë në vargjet 6, 12 dhe 14 thuhet që ai na zgjodhi në të para themelimit të botës dhe na paracaktoi të jemi bijtë e tij, për lëvdim të lavdisë së tij.

Ai të zgjodhi ty. Përse? Në mënyrë që lavdia dhe hiri i tij të mund të lavdërohen dhe madhërohen. Shpëtimi juaj është për të lavdëruar Perëndinë. Zgjedhja juaj është për të lavdëruar Perëndinë. Rilindja juaj ishte për të lavdëruar Perëndinë. Drejtësimi juaj ishte për lavdi të Perëndisë. Shenjtërimi juaj është për lavdi të Perëndisë. Dhe një ditë përlëvdimi juaj do të jetë një rrëmbehemi në lavdinë e Perëndisë.

Ju u krijuat për lavdinë e Perëndisë.

Isaia 43:6-7, "Bëj që të vijnë bijtë e mi nga larg dhe bijat e mia nga skajet e tokës, tërë ata që quhen me emrin tim, që kam krijuar për lavdinë time.”

Perëndia e shpëtoi popullin e vet Izraelin nga Egjipti për lavdinë e tij.

“Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq. Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij.” Psalmi 106:7-8

Me fjalë të tjera, ai hapi Detin e Kuq dhe e shpëtoi popullin e tij rebel, në mënyrë që të bënte të njohur fuqinë e tij të madhe. Kjo arriti gjer ne Jeriko ku shpëtoi një prostitutë, kështu që kur ata arritën atje dhe ishin gati t'u binin borive ajo lindi sërish për shkak se tha, “Dëgjuam për emrin dhe famën tuaj.” Një grua dhe familja e saj besuan tek një Perëndi i fokusuar në Perëndinë dhe i shpëtuan shkatërrimit.

Perëndia pati mëshirë për Izraelin në shkretëtirë për lavdinë e tij.

Perëndia e kurseu Izraelin në shkretëtirë herë pas here. “Shtëpia e Izraelit rebeloi kundër meje në shkretëtirë,” thotë Ezekieli duke cituar Perëndinë, “mendova që ta derdhja zemërrimin tim, por veprova për hir të emrit tim në mënyrë që të mos blasfemohej mes kombeve.” Pastaj më në fund Perëndia i dërgoi në gjykim në Babiloni, dhe pas 70 vitesh mëshira u derdh mbi ta. Ai nuk do ta ndajë nusen e besëlidhjes së tij dhe kështu e ktheu pranë vetes. Por pse? Cili është motivi i rrënjossur në zemrën e Perëndisë?

Dëgjojeni nga Isaia 48:9-11, “Për hir të emrit tim do ta shtyj për më vonë zemërimin tim, dhe për hir të lavdisë sime do ta frenoj që të mos të të shfaros. Ja, unë të kam rafinuar, por jo si argjendi; të kam provuar në poçen e pikëllimit. Për hir të vetvetes, për hir të vetvetes e bëj këtë; si mund të lë, pra, që të përdhoset emri im? Nuk do t’ia jap lavdinë time asnjë tjetri.” Ky është një motiv mëshire që ka Perëndinë në qendër.

Jezusi erdhi dhe vdiq për lavdinë e Perëndisë

Për çfarë arsyeje erdhi Jezusi në botë? Sa herë e kemi cituar Gjoni 3:16. Kjo është një e vërtetë e lavdishme. Para se të mbarojmë këtë mëngjes, ose të paktën nesër në mëngjes, do të shihni që ky theks tani dhe ai theks, të cilin e keni ditur ndoshta për një kohë të gjatë nuk janë në konflikt.

Por përse erdhi ai? Përse erdhi Jezusi? Sipas Romakëve 15:8-9 ai erdhi për këtë arsye, “Por them se Jezu Krishti u bë shërbenjës i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve, dhe që kombet të përlëvdojnë Perëndinë për mëshirën e tij.” Krishti erdhi në tokë, mori një trup njerëzor, dhe vdiq në mënyrë që ju t'i jepni lavdi Atit të tij për mëshirën e tij. Ai erdhi për hir të Atit të tij. Kjo është arsyeja kryesore përse ai erdhi, për lavdinë e Atit të tij. Lavdia e tij arrin kulmin e vet në mbushullinë e mëshirës.

Dëgjoni këto fjalë nga Romakëve 3, “të cilin Perëndia e paraqiti si pajtimore, nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij... për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme.” Kjo ishte arsyeja përse ai vdiq. Ai vdiq për të lartësuar drejtësinë e Perëndisë që kishte falur mëkate si kurorëshkelja dhe vrasja në jetën e Davidit. A ju shqetësoi ndonjëherë fakti që Perëndia thjesht i kaloi këto mëkate dhe Davidi vazhdoi të ishte mbret? Kjo në fakt shqetësoi Palin thellë në qënien e tij, që Perëndia nuk është i drejtë kur fal mëkatet. Nuk ishte vetëm Davidi. Kishte mijëra shenjtorë në Dhiatën e Vjetër dhe sot mëkatet e të cilëve ai thjesht i harron dhe i fal. Pali thirri, “Si mund të jesh Perëndi dhe të bësh këtë gjë? Si mund të jesh i drejtë dhe të bësh këtë? Si mund të jesh i denjë për adhurim dhe të bësh këtë gjë? Nëse ndonjë gjykatës në Austin do ta bënte këtë gjë, shpejt do ta hiqnin nga detyra, nëse do nxirrte të pafajshëm një abuzues fëmijësh, një përdhunues, një vrasës -”kurse ti e bën këtë gjë çdo ditë, çfarë lloj Perëndie je?”

Kryqi është zgjidhja për një problem madhor teologjik, domethënë, si mund të jetë Perëndia Perëndi dhe të falë mëkatet? Krishti erdhi për të lartësuar Perëndinë në shpëtimin e njerëzve si ju. Shpëtimi është një gjë shumë e madhe dhe e lavdishme që ka Perëndinë në qendër.

Jezusi po kthehet për të marrë lavdi

Përse po kthehet sërish Jezusi? Jezusi po vjen miq, ai po vjen. Më lejoni t'ju them përse po kthehet dhe çfarë mund të bëni ju kur të vijë, në mënyrë që të jeni gati ta bëni.

2 Thesalonikasve 1:9, “Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij, kur ai të vijë, atë ditë, për të qenë i lavdëruar në shenjtorët e vet, për të qenë i admiruar në mes të atyre që kenë besuar.” A i dalloni ato dy gjëra? Ai po vjen të lavdërohet, madhërohet në shenjtorët e vet, dhe të admirohet. Nëse nuk filloni ta bëni këtë që tani, nuk do të jeni në gjëndje ta bëni kur ai të vijë.

Kjo konferencë ekziston për të ndezur një zjarr brenda jush, të ndezë një zjarr në mendjen dhe zemrën tuaj për t'ju bërë gati të takoni Mbretin Jezus në mënyrë që të vazhdoni në përjetësi të bëni atë për të cilën ju krijoi, të mahniteni me të dhe ta madhëroni.

Ne duhet ta Madhërojmë Perëndinë si Teleskop

Zmadhojeni atë por jo si bën një mikroskop. E dini dallimin mes dy llojeve të zmadhimit apo jo? Kemi zmadhimin e teleskopit dhe zmadhimin e mikroskopit. Ta zmadhosh Perëndinë si një mikroskop është blasfemi. Zmadhimi i Perëndisë si një mikroskop do të thotë të marrësh diçka të vogël dhe ta bësh të duket më e madhe se sa është. Nëse përpiqeni të bëni këtë gjë me Perëndinë blasfemoni. Por një teleskop e drejton lenten e tij në hapësira të paimagjinueshme madhështie dhe përpiqet t'i ndihmojë ato të duken ashtu si janë në realitet. Kjo është puna e teleskopit.

Yll i vogël lart në qiell, xixa xixa, xixëllon – hedh vështirmin në qiellin e natës dhe ata janë si pika të vogla. Ata nuk janë ashtu. Këtë e dini, jeni në universitet apo jo? Ata janë të mëdhenj. Janë shumë, shumë të mëdhenj, dhe janë të nxehtë! Nuk e keni idenë, vetëm se një herë e një kohë dikush shpiku një teleskop, vuri syrin për të parë, dhe mendoi, “Kjo qënka më e madhe se toka, miliona herë më e madhe se toka.” Kështu është edhe Perëndia. Jeta jote ekziston për të shërbyer si një teleskop për lavdinë e Perëndisë në universitetet tuaja. Kjo është një thirrje e madhe. Nesër do flas për mënyrën sesi mund të bëhet kjo.

Nëse Perëndia është i përqëndruar tek Vetja, si mund të jetë i Dashur?

Ja tek është pyetja kyçe me të cilën dua ta mbyll, për shkak se e di që po nisni ta bëni. Kam shqiptuar këtë të vërtetë që Perëndia është një Perëndi i përqëndruar tek Perëndia dhe që ky përqëndrim tek Perëndia është rrënja e përqëndrimit tim tek Perëndia. Këtë ua kam thënë njerëzve për njëzetë vjet, dhe pyetja që del është: “Kjo gjë nuk tingëllon e dashur, për shkak se Bibla na thotë tek 1 Korintasve 13:5, “Dashuria nuk kërkon të sajat.” Kurse ti po na thua këto pesëmëdhjetë minutat e fundit që Perëndia e kalon gjithë kohën e vet duke kërkuar të vetat. Ose Perëndia nuk është i dashur ose ti je gënjeshtar.” Ky është problem i madh. Prandaj më lejoni të përgjigjem si është e mundur që Perëndia është i dashur ndërsa kërkon vetëlartësimin e tij.

Ndihmë prej C.S. Ljuid

Çelësin e gjeta tek C.S. Ljuis. Nëse ndonjëri prej jush e ka lexuar libritn Desiring God atëherë do t'ju kujtohet ky citim. Ljuis ishte pagan deri në fund të 20-ve dhe e urrente kotësinë e Perëndisë. Ai thoshte që sa herë lexonte Psalmet, “Lëvdoni Zotin. Lëvdoni Zotin” - duke e njohur doktrinën e Krishterë, që Psalmet ishin të frymëzuara – ai e dinte që në fakt ishte Perëndia ai që po thoshte, “Lëvdomëni, Lëvdomëni” dhe kjo i tingëllonte si një grua plakë që kërkonte komplimenta. Citimi është shkëputur prej Reflektime rreth Psalmeve. Pastaj krejt papritur Perëndia hyri në jetën e Ljuisit. Ja se çfarë shkroi:

Fakti më i dukshëm rreth lavdërimit të Perëndisë apo çdo gjëje tjetër, në mënyrë të çuditshme më kishte shpëtuar. Unë mendoja për këtë si kompliment, aprovim apo dhënie nderi. Nuk e kisha vënë re kurrë se gjithë kënaqësia spontanisht rrjedh në lavdërim veçse (nganjëherë edhe kur) turpi apo frika e bezdisjes së të tjerëve sillet qëllimisht për ta frenuar. Bota kumbon me lavdërim, të dashurit lëvdojnë të dashurat e tyre, lexuesit lëvdojnë poetët e tyre të preferuar, turistët lëvdojnë bukurinë e fshatit, lojtarët lëvdojnë lojën e tyre të preferuar, lëvdim i kohës, verërave, gatimeve, aktorëve, kuajve, kolegëve, vendeve, personazheve historike, fëmijëve, luleve, maleve, stampave të rralla, insekteve të rralla dhe nganjëherë edhe i politikanëve apo studiuesve. Vështirësia ime zakonisht më e madhe, rreth lavdërimit të Perëndisë varej në faktin që në mënyrë absurde na mohoet, përsa i përket të çmuarës supreme, asaj që kënaqemi të bëjmë, ajo që në të vërtetë nuk ka si të mos e bëjmë, rreth gjithçkaje tjetër që vlerësojmë.

Ja tek është fjalia kyç:

Mendoj se ne kënaqemi në lavdërimin e asaj me të cilën kënaqemi për shkak se lavdërimi jo vetëm shpreh por edhe e plotëson kënaqësinë, ky është konsumimi i caktuar. Të dashurit nuk vazhdojnë t'i thonë njëri-tjetrit sa të bukur janë thjesht si kompliment, kënaqësia është e mangët derisa të shprehet.

Ky ishte çelësi për mua i cili hapi diçka në lidhje me mënyrën si Perëndia mund të jetë i dashur dhe të lartësojë veten në gjithë sa bën. Është kështu. Më lejoni t'i vendos të gjitha copëzat së bashku për ju.

*Përgjigja për Pyetjen *

Nëse Perëndia do të të dojë, çfarë duhet të të japë? Ai duhet t'ju japë atë që është më e mira për ju. Gjëja më e mirë në gjithë universin është Perëndia. Nëse do t'ju jepte gjithë shëndetin, punën më të mirë, partnerin më të mirë, kompjuterin më të mirë, pushimet më të mira, suksesin më të mirë në çdo sferë, dhe t'ju privonte nga vetja e tij, atëherë ai do t'ju urrente. Nëse ai ju jep Perëndinë dhe asgjë tjetër, ju do pafundësisht.

Duhet të kem Perëndinë për kënaqësinë time nëse Perëndia duhet të jetë i dashur me mua. Ljuis ka thënë që nëse Perëndia ju jep veten që të kënaqeni me të për gjithë përjetësinë, ai gëzim nuk ka për t'u shijuar kurrë derisa ju ta shprehni në lavdërim. Prandaj, në mënyrë që Perëndia t'ju dojë plotësisht ai nuk mund të jetë indiferent nëse e çoni ose jo gëzimin deri në fund përmes lavdërimit. Prandaj Perëndia duhet të kërkojë lavdërimin tuaj nëse do të duheni prej tij. A ka kuptim kjo? Vras mendjen nëse dua t'jua them edhe një herë. Ky është thelbi i jetës time. Besoj që ky është thelbi i Biblës.

Për t'ju dashur ai duhet t'ju japë atë që është më e mira për ju. Perëndia është gjëja më e mirë për ju. “Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka plot gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.” (Psalmi 16:11). Perëndia na e jep veten e vet për kënaqësinë tonë. Por Ljuis na ka treguar që nëse ato kënaqësi nuk gjejnë shprehje në lavdërimin e Perëndisë, ato janë të kufizuara. Prandaj për shkak se Perëndia nuk dëshiron ta kufizojë kënaqësinë tuaj në ndonjë mënyrë, thotë, “Lëvdomë. Në gjithë sa bën më lëvdo mua. Në gjithë sa bën më lartëso mua. Në gjithë sa bën, kij një pasion për supremacinë time,” gjë e cila thjesht do të thotë që pasioni i Perëndisë për t'u lavdëruar dhe pasioni juaj për të ngazëlluar dhe për t'u kënaqur nuk janë në kontraditë. Ato vijë së bashku. Perëndia lavdërohet me tepër kur ju kënaqeni më tepër në të.

Ky është fundi i mësazhit të sotëm. Më lejoni t'ju tregoj ku do shkojmë nesër, në mënyrë që të luteni për këtë dhe që të mund të vini dhe të më lejoni të mbaroj, për shkak se nuk kam mbaruar. Nëse kjo është e vërtetë, që Perëndia lavdërohet më tepër në ju kur ju kënaqeni më tepër në të, dhe si rrjedhim nuk ka asnjë tension apo kontraditë mes kënaqësisë tuaj në të dhe lavdërimit të tij në ju, atëherë thirrja e jetës suaj është të ndiqni kënaqësinë tuaj. Këtë unë e quaj hedonizëm i Krishterë, dhe nesër dëshiroj t'ju flas sesi ta bëni këtë gjë dhe pse ka për t'i transformuar marrëdhëniet tuaja, universitetet, adhurimin dhe përjetësinë tuaj.